Policia e Durrësit ka identifikuar dhe ka shpallur në kërkim dy persona në lidhje me atentatin ndaj 29-vjeçarit Ermir Dedja.
Burime nga grupi i hetimit kanë konfirmuar për A2 CNN se hetimet po ecin në rrugën e duhur për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e personave të përfshirë në atentat.
Të njëjtat burime nga grupi i hetimit bëjnë me dije se dy personat e identifikuar dhe të shpallur në kërkim janë persona që kanë ndihmuar autorët për krijimin e infrastrukturës.
Mësohet se personat e shpallur në kërkim kanë siguruar automjetin dhe kanë bashkëpunuar ngushtë me ekzekutorët, të cilët mendohet të kenë qenë dy persona të tjerë.
Ndërkohë, ekspertët e kriminalistikës kanë arritur të gjejnë prova (aq sa kanë mundur nga automjeti i djegur në Gërdec) dhe i kanë dërguar në laboratorin e kriminalistikës dhe presin rezultatet e analizave. Për shkak të angazhimit intensiv të 29-vjeçarit në aktivitete të ndryshme kriminale përgjatë viteve të fundit, policia ka ngritur disa pista hetimi të cilat janë bërë shkak për ekzekutimin e Ermir Dedjas, personazh i njohur jo vetëm për policinë lokale.
Ermir Dedja u qëllua për vdekje në orët e vona të mbrëmjes së ditës së hënë. Ai mori një plumb në gjoks çka i shkaktoi vdekjen e menjëhershme.