Live

Dënohen me 55 vite burg autorët e vrasjes së biznesmenit Edmond Papa

12:14 / 09 Qershor 2025

Nga Kosova Live

Gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesën e prokurorisë dhe ka dënuar me një total prej 55 vitesh burg dy autorët e vrasjes së biznesmenit Edmond Papa, ngjarje që ndodhi në dhjetor të vitit 2022 në zonën e Selitës, në Tiranë.

Andrew Bode u dënua me 30 vite burg për veprën penale “vrasje me paramendim” kryer në bashkëpunim dhe “mbajtje pa leje e armëve”. Ai konsiderohet si ekzekutori i biznesmenit.

Ndërsa 30-vjeçari Alban Velo u dënua me 25 vite burg për të njëjtën vepër penale – “vrasje me paramendim” kryer në bashkëpunim.

Të dy të pandehurit do ta vuajnë dënimin në një institucion të sigurisë së lartë, për shkak të rrezikshmërisë së tyre të lartë shoqërore.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 16 dhjetor 2022, në rrugën “Fadil Bodinaku” në zonën e Selitës. Edmond Papa u qëllua me nëntë plumba nga autorët, të cilët u larguan menjëherë nga vendi i ngjarjes. Viktima ndërroi jetë rrugës për në spital.

Edmond Papa ishte një emër i njohur për autoritetet, me precedent penal në Greqi për trafik droge, si dhe i skeduar më parë edhe në Britaninë e Madhe. Sipas hetimeve, motivi i vrasjes ka qenë hakmarrja, ndërsa zbardhja e plotë e ngjarjes u bë vetëm disa javë pas atentatit.

Shpërndaje në

U Kopjua