Bayern Munich ka shfaqur interes serioz për transferimin e sulmuesit brazilian të Real Madridit, Rodrygo Goes, dhe është i gatshëm të ofrojë plot 100 milionë euro për ta sjellë atë në “Allianz Arena”. Këtë e ka raportuar gazetari i “AS”, Eduardo Burgos.
Fillimisht, kampionët gjermanë kishin në shënjestër yllin e Liverpoolit, Luis Diaz, por oferta prej 70 milionë eurosh u refuzua nga klubi anglez. Nëse “The Reds” nuk ndryshojnë qëndrim, Bayerni planifikon ta zhvendosë vëmendjen te Rodrygo.
Braziliani vlerësohet lart nga drejtuesit e klubit bavarez për moshën e re, shpejtësinë dhe fleksibilitetin e tij në repartin ofensiv. Sipas tyre, Rodrygo ka potencial më të madh afatgjatë sesa Diaz.
Në garë për shërbimet e 23-vjeçarit mund të futet edhe Arsenali, i cili gjithashtu raportohet se është i interesuar për lojtarin, megjithëse ende nuk ka bërë një ofertë zyrtare.
Nëse Real Madrid vendos të dëgjojë oferta për sulmuesin, pritet një garë e ashpër mes disa prej klubeve më të mëdha evropiane.