Shqipëria është përballur me vatra të shumta zjarri gjatë ditëve të nxehta të verës.
Por, sipas policisë, zjarret nuk po vijnë vetëm për shkaqe natyrale, por edhe nga dora e njeriut, transmeton Klankosova.tv.
Bazuar në njoftimin e Policisë së Shtetit, brenda tri ditëve janë arrestuar 12 persona për zjarrëvënie të qëllimshme apo edhe nga pakujdesia.
Veprime intensive hetimore dhe operacionale për parandalimin e zjarrvënieve, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Apel për mosshkaktimin e zjarreve, me qëllim apo nga pakujdesia pasi çdo autor do përballet me ligjin.
Strukturat e Policisë së Shtetit, krahas angazhimit në terren në bashkëpunim me shërbimet zjarrfikëse, forcat e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Emergjencat Civile, për evakuimin e banorëve që rrezikohen nga zjarret dhe për shuarjen e tyre, po vijojnë me intensitet veprimet hetimore dhe operacionale për identifikimin, kapjen dhe arrestimin e autorëve të zjarrvënieve, të qëllimshme apo të shkaktuara nga pakujdesia.
Ndryshe, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ilir Proda ka kaluar në gatishmëri të gjitha strukturat vendore, me porosi të qarta për intensifikimin e masave parandaluese, hetimore dhe ndëshkimore ndaj çdo rasti të zjarrvënies, të qëllimshme apo të shkaktuar nga pakujdesia.
“Policia e Shtetit apelon për të gjithë banorët, dhe në veçanti për ata që kanë në përdorim sipërfaqe kullosore, që në asnjë rast të mos ndezin zjarr, sepse do të përballen me forcën e ligjit. Po ashtu, qytetarët duhet të tregojnë kujdes maksimal, veçanërisht moshedhjen e cigareve të ndezura buzë rrugëve, pasi mund të shkaktojnë zjarr”, thuhet tutje në njoftim.