Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, përgëzoi të hënën Tajlandën dhe Kamboxhian për armëpushimin e arritur së fundmi, i cili i dha fund luftimeve pesëditore ndërkufitare midis vendeve të Azisë Juglindore.

“Sapo fola me Kryeministrin në detyrë të Tajlandës dhe Kryeministrin e Kamboxhias. Jam i kënaqur të njoftoj se, pas përfshirjes së Presidentit Donald J. Trump, të dy vendet kanë arritur një ARMEPUSHIM dhe PAQE. Urime të gjithëve!” tha Trump në rrjetet sociale.
“Duke i dhënë fund kësaj Lufte, ne kemi shpëtuar mijëra jetë. E kam udhëzuar Ekipin tim Tregtar të rifillojë negociatat mbi Tregtinë. Tani kam përfunduar shumë Luftëra në vetëm gjashtë muaj – jam krenar që jam Presidenti i PAQES!” shtoi ai.
Kryeministri malajzian Anwar Ibrahim njoftoi armëpushimin “e menjëhershëm” dhe “të pakushtëzuar”, i cili hyn në fuqi nga mesnata sipas orës lokale (17:00GMT) të hënën, pasi priti bisedimet e paqes midis kryeministrit kamboxhian Hun Manet dhe kryeministrit në detyrë të Tajlandës Phumtham Wechayachai në Kuala Lumpur.
Komandantët ushtarakë tajlandezë dhe kamboxhianë do të zhvillojnë një takim zyrtar herët të martën. Në takimin e së hënës morën pjesë gjithashtu zyrtarë nga SHBA-ja dhe Kina.
Fqinjët e Azisë Juglindore kanë një mosmarrëveshje kufitare përgjatë provincës Preah Vihear të Kamboxhias dhe provincës verilindore Ubon Ratchathani të Tajlandës, me tensione të përtërira që nga 28 maji, kur u vra një ushtar kamboxhian.
Tajlanda dhe Kamboxhia panë marrëdhënie të përkeqësuara në javët e fundit, ndërsa tensionet u përshkallëzuan në sulme ajrore ndërkufitare dhe raketa që nga e enjtja e kaluar, të cilat kanë vrarë shumë njerëz, përfshirë ushtarë.
Mijëra njerëz janë zhvendosur për shkak të përleshjeve.
Tailanda dhe Kamboxhia janë përleshur përgjatë kufirit të tyre të përbashkët prej dekadash, ndërsa prej javës së kaluar tensionet u përshkallëzuan mes sulmeve të ndërsjellëta duke lënë pas me dhjetëra viktima.
Konflikti ka marrë tashmë dhjetëra jetë dhe ka zhvendosur rreth 260,000 njerëz në të dyja anët e kufirit.