Live

Vrasjet e rënda në Gjilan dhe Hajvali: Katër të kërkuar, asnjë në pranga

11:26 / 13 Gusht 2025

Nga Kosova Live

“Ekzekutuesit” e dyshuar për vrasjet që tronditën Gjilanin dhe Prishtinën ende mbesin të pakapur nga shteti.

Në Gjilan, Mefail Shkodra, Engjull Shkodra dhe Edonis Shkodra dyshohen se ekzekutuan babë e bir, Selman e Edmond Hasani, së bashku me familjarin e tyre Abedin Hoxhën.

Policia ka kryer bastisje të shumta, ka shpërndarë fotot e tyre dhe ka apeluar tek qytetarët për çdo informacion që mund të ndihmojë në kapjen e tyre, transmeton Klankosova.tv.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur poashtu  disa prej masave që ka ndërmarrë për këtë rast.

“Policia e Kosovës ka ndërmarrë masa të shtuara për lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarve të këtij rasti të rëndë. Përveç masave operative që i kemi në vazhdimësi kemi apeluar edhe përmes mediave duke i bërë publike profilet e personave të dyshimtë të kërkuar dhe kushdo që posedon informacion në lidhje me vendndodhjen e tyre ta kontaktoj Policinë e Kosovës ku do qoftë në stacionin ma të afërt. Janë njoftuar të gjitha pikatë kufitare që nga momenti i parë kur është raportuar rasti. Janë zhvilluar shumë bastisje në lokacione të ndryshme ku kemi besuar se mundë të strehohen të dyshuarit”, bëri të ditur dje Policia e Kosovës.

Ndërkohë, në Prishtinë, Xhemajl Nuhiu, i dyshuar për vrasjen në lagjen Hajvali, mbetet gjithashtu në arrati.

Policia ka publikuar fotografinë e tij dhe ka kërkuar bashkëpunim nga qytetarët për lokalizimin dhe arrestimin e tij.

Lidhur me rastin edhe Prokuroria ka konfirmuar se i dyshuari gjendet në arrati për vrasjen e Muhamet Matoshit.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se me datë 11.08.2025, rreth orës 22:00, një ngjarje tragjike ka ndodhur ne lagjen Hajvali të Prishtinës, ku një person M.M., është qëlluar me armë zjarri. Viktima u dërgua menjëherë në Qendren Klinike Universitare të Kosoves, ku mjekët e konstatuan vdekjen e tij pa shenja jete”, thuhet në njoftim transmeton Klankosova.tv

“Menjëherë pas marrjes se informatës, njësitet relevante te Policise se Kosoves, në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorin e shtetit, kanë dalë në vendngjarje dhe kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore. Si rezultat i veprimeve të deritanishme hetimore, është identifikuar autori i dyshuar, Xhemajl Nuhiu, i cili aktualisht është në arrati dhe po kërkohet nga organet e rendit. Prokuroria Themelore në Prishtinë, mbeten e përkushtuar në zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit dhe sjelljen para drejtësisë të autorit të kësaj vepre të rëndë penale”.

Vërejtje:
Personat e përmendur në këtë artikull, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, konsiderohen të pafajshëm deri në vendimin e formës së prerë nga gjykata.

Shpërndaje në

U Kopjua