Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka reaguar ndaj vendimit të sotëm të Gjykatës Kushtetuese i cili shpalli të pavlefshme seancat e 27 qershori deri më 26 korrik 2025.
Siç thotë ai, referuar kësaj shpalljeje, kryesuesi Avni Dehari, është i detyruar të vazhdojë procedurat për zgjedhjen e kryeparlamentarit me votim të hapur, dhe thekson se ky është vendim i prerë që tutje s’duhet humbur kohë me veprime ndryshe, transmeton klankosova.tv.
”Seancat e Kuvendit nga 27 qershori deri më 26 korrik 2025 janë shpallur të pavlefshme nga Gjykata Kushtetuese, për shkak të veprimeve kundërkushtetuese të Kryesuesit të Seancës Konstituive.
Ndërkohë, Kryesuesi është i detyruar të vazhdojë procedurat për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit – me votim të hapur.
Ky është një vendim i prerë dhe i detyrueshëm dhe nuk ka më hapësirë për vonesa e as për interpretime.
I bëj thirrje Kryesuesit që ta thërrasë sa më shpejt seancën e radhës, në përputhje me Kushtetutën dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.
Kosova ka nevojë për institucione funksionale, jo për zvarritje. Çdo ditë vonesë është dëm për qytetarët dhe për shtetin”.