Live

VV s’heq dorë nga Haxhiu, ish opozita s’ka votë për të as 1 e as 3 herë

19:25 / 19 Gusht 2025

Nga Kosova Live

Afati 30 ditor për konstituimin e Kuvendit ka nisur të rrjedhë. Seanca për të vazhduar këtë proces është caktuar për nesër në 11:00, por ndryshim të qëndrimeve nga partitë politike siç duket s’ka. Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese e kanë mirëpritur subjektet politike ish opozitare, teksa një vendim i tillë nuk i konvenoi Lëvizjes Vetëvendosje, raporton Klankosova.tv

Kushtetuesja urdhëroi që kryesuesi i seancës duhet të ftojë partinë e parë, në këtë rast VV-në, të propozojë emrin e kandidatit për kryeparlamentar, i cili zgjedhet përmes votimit të hapur, në të cilin duhet të marrin pjesë të gjithë deputetët.

POR, i njëjti kandidat mund të votohet veç tri herë, raporton Klankosova.tv

A do të vazhdojë Vetëvendosje me emrin e Albulena Haxhiut, që dështoi disa herë në votim të hapur, ndërsa procesi për votim të fshehtë nuk i eci partisë së saj?

Këtë e ka konfirmuar deputeti i tyre, Arbër Rexhaj, në një deklaratë për REL-in.

Nëse brenda tri herësh nuk zgjidhet zonja Haxhiu, sigurisht që ne do ta diskutojmë veprimin e ardhshëm brenda grupit parlamentar”, thotë ai.

Partitë ish opozitare kanë deklaruar gjatë ditës së sotme se s’kanë votë për Haxhiun.

VV pati një reagim edhe gjatë ditës së djeshme, por nuk ishte e qartë nëse do ta respektojë vendimin e Kushtetueses. I paqartë ishte edhe lideri i tyre, Albin Kurti, i cili u pyet po dje, para se të publikohej aktgjykimi i plotë.

Në këtë vendim përfshihen edhe komentet e Lëvizjes Vetëvendosje ndaj pretendimeve lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Kuvendit për votimin e Komisionit për votim të fshehtë.

Më 12 korrik 2025, deputetja Saranda Bogujevci kishte dorëzuar komentet lidhur me kërkesat, ku kishte argumentuar, në emër të partisë se votimi i fshehtë është i lejueshëm si kompromis mes deputetëve.

Madje, propozimin e kryesuesit të seancës, Avni Dehari, për komisionin, kjo parti e ka quajtur si përpjekje të sinqertë për gjetjen e kompromisit apo konsensusit të nevojshëm.

“Pretendimet e parashtruesve të kërkesave kundërargumentohen nga deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje!, Znj. Saranda Bogujevci, e cila në komentet e dorëzuara në Gjykatë, në emër te Lëvizjes Vetëvendosje!, në thelb, thekson që (i) votimi i fshehtë është i lejueshëm si një kompromis i mundshëm mes deputetëve, me qëllim të konstituimit të Kuvendit; dhe (ii) propozimi i Kryesuesit të Seancës për formimin e komisionit për votim të fshehtë paraqet përpjekje të sinqertë për të gjetur “kompromisin apo konsensusin” e nevojshëm për mënyrën e votimit, me qëllim të konstituimit të Kuvendit; (iii) mos-pjesëmarrja e deputetëve në votimin për formimin e komisionit për votim të fshehtë bllokon shprehjen e vullnetit të shumicës; dhe (iv) të gjithë deputetët e zgjedhur të Kuvendit kanë për obligim gjetjen e një mënyre për të zgjedhur Kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit.”, thuhet në vendimin e Kushtetueses.

Nga pika 62 deri në pikën e 85-të janë të renditura të gjitha pretendimet e VV-së, të cilët thonë se “votimi i fshehtë është e drejtë demokratike që nuk përbën ndryshim procedure, ndryshim rendi të ditës apo cenim të rrjedhës së seancës konstituive dhe se deputetët që janë kundër kësaj forme mjafton të shprehin vullnetin e tyre duke votuar kundër.” 

Shpërndaje në

U Kopjua