Live

Rikthehen seancat, a do të konstituohet sot Kuvendi?

07:56 / 20 Gusht 2025

Nga Kosova Live

Sot me fillim nga ora 11:00 do të vazhdojë seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës.

Kjo pas publikimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese që u bë të hënën që solli edhe rregulla të reja.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi duhet të zgjedhë kryetarin e tij përmes votimit të hapur, brenda 30 ditësh, me jo më shumë se tri raunde votimi për të njëjtin kandidat.

Nga e hëna ka nisur edhe rrjedhja e afatit kushtetues prej 30 ditësh për formimin e legjislaturës së nëntë.

Mbetet të shihet nëse palët do të lëvizin nga pozicionet e tyre të mëparshme, apo gjendja do të mbetet e njëjtë.

Lidhur me këtë dje është deklaruar presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.

Osmani ka vlerësuar se konstituimi i Kuvendit është një urgjencë shtetërore, duke theksuar rëndësinë e krijimit të institucioneve të reja në këtë periudhë sfidash globale dhe zhvillimesh të ndjeshme rajonale.

Ajo theksoi se zvarritja e procesit deri më tani ka dëmtuar jo vetëm besueshmërinë e institucioneve dhe zhvillimin e brendshëm, por edhe pozicionin ndërkombëtar të Kosovës.

Shpërndaje në

U Kopjua