Një rast i rëndë shantazhi ka tronditur një qytetar nga Zveçani, i cili kërkoi ndihmën e policisë.
Më 18 gusht 2025, rreth orës 21:00, 39-vjeçari N. R., ka pranuar në Facebook një kërkesë për shoqëri nga e dyshuara Elizabetha Lovic. Fillimisht komunikimi mes tyre ka qenë i zakonshëm, por shumë shpejt ka kaluar në biseda me video dhe përmbajtje komprometuese, ku viktima kishte pranuar të shfaqej edhe nudo.
Pas kësaj, gruaja ka filluar menjëherë shantazhin duke i kërkuar 18 mijë euro, me kërcënimin se do t’ia publikojë pamjet. Një ditë më pas, më 19 gusht rreth orës 16:00, ajo i ka kërkuar sërish para, këtë herë 100 euro, duke përsëritur kërcënimin për publikim të fotos në rast mos pagesë.
I alarmuar, viktima është paraqitur në Stacionin Policor në Zveçan, ku ka denoncuar rastin. Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, ngjarja është iniciuar si “Shantazh” dhe hetimet janë duke vazhduar për identifikimin dhe procedimin e mëtejshëm të të dyshuarës.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.