Deputetja e Partisë Demokratike e Kosovës Blerta Deliu, ka reaguar pas dështimit të Donika Gërvallës për t’u zgjedhur kryetare e Kuvendit.
Ajo kritikoi Lëvizjen Vetëvendosje, për siç shprehet ajo “lojëra dhe taktika të poshtra manipulimi”.
Deliu përmendi mosvotimin e deputetes së LVV-së Shqipe Selimi, duke lënë të kuptohet se brenda partisë në pushtet nuk ka unitet për kandidaturën e Gërvallës.
“Edhe Shqipe Selimi e di pse Donika Gërvalla nuk i mori votat sot. Por, si u bënë 57 vota sot në Kuvend, meqë Shqipja nuk e votoi?”, shkroi Deliu në Facebook transmeton Klankosova.tv.
Ligjvënësit nga radhët e PDK-së, shtoi është koha që të ndalet bllokimi i institucioneve dhe të sillet një kandidat që realisht mund të sigurojë shumicën.
“Ju lutem, ndalni më këto lojëra e taktika të poshtra manipulimi e kthejuni seriozitetit. Propozojeni një kandidat, i/e cila e dini se i merr votat – e mjaftë më me bllokada!”, theksoi ajo.
Gjatë seancës së sotme, sipas raportit zyrtar Donika Gërvalla, mori 57 vota për, 56 kundër dhe 3 abstenime, të pamjaftueshme për t’u zgjedhur kryetare e Kuvendit.
Seanca e radhës do të mbahet më 22 gusht.