Partia Demokratike e Kosovës ka njoftuar se ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për anulimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, që obligon mbi 1 mijë e 300 biznese të kalojnë në tregun e lirë të energjisë elektrike.
Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, tha se ky vendim cenon rëndë funksionimin e ndërmarrjeve vendore dhe ekonominë e Kosovës, prandaj kërkuan edhe vendosjen e një mase sigurie, transmeton Klankosova.tv.
“Sapo kemi dorëzuar në Kushtetuese kërkesën për anulimin e vendimit të ZRrE-së, i cili në mënyrë të padrejtë detyron mbi 1300 biznese të kalojnë në tregun e ashtuquajtur të lirë. Këtë e bëjmë në mbrojtje të interesit publik dhe të qindra mijëra vendeve të punës”, deklaroi Tahiri, në një konferencë për media.
Ai ka shtuar se kërkesës i janë bashkëngjitur edhe vendimet e Gjykatës Themelore dhe të Apelit, të cilat më herët kishin refuzuar padinë e PDK-së lidhur me këtë çështje.