Të enjten në veri të vendit ka pasur aksione në disa dyqane që shiten produkte të ndryshme. Inspektorët e Tregut së bashku me ata Sanitarë kanë kryer inspektime në raport me kushtet që po u ofrohen në lokale të ndryshme në veri të vendit.
Lidhur me këto aksione, detaje shtesë ka dhënë gazetari korrespodent i “Ora Shtatë”, Urall Boshnjaku, transmeton Klankosova.tv.
Ai thotë se kontrollet janë kryer në byrektore, në lokale ku shiten pajisje funerale, e në lokale ku shiten mallra të ndryshme.
Sipas gazetarit, në disa lokale është konstatuar se mungojnë kushtet bazike higjienike për të ofruar shërbim, e në disa të tjera mungonin pullat akcize ne produktet e duhanit dhe të pijeve, e diku tjetër, sipas Boshnjakut, mungonte njoftimi që produktet që shiten nuk janë për përdorim për personat që janë nën moshën 18 vjeç, e po ashtu është hasur në shumë produkte me afat të skaduar.
Boshnjaku ka bërë të ditur se produktet janë konfiskuar e disa edhe janë asgjësuar, derisa pronarëve të këtyre lokaleve iu është dhënë kohë që të rregullojnë problemet e paraqitura.