Sot në orën 11:00 ka filluar përpjekja e dytë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, pas aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka urdhëruar që brenda 30 ditëve nga mbajtja e seancës së parë, Kuvendi duhet të konstituohet.
Kushtetuta lejon që i njëjti emër i kandidatit për kryetar Kuvendi të propozohet vetëm tri herë, raporton Klankosova.tv.
Të mërkurën, Lëvizja Vetëvendosje bëri përpjekjen e parë duke propozuar Albulena Haxhiun për postin e kryetares së Kuvendit, por ajo nuk arriti të sigurojë 61 vota.
Po ashtu as kandidatura e Donika Gërvallës nga i njëjti subjekt politik gjithashtu dështoi, pasi mori një votë më pak, për shkak se deputetja Shqipe Selimi nuk e votoi.
Tashmë pritet të shihet nëse kjo tentativë e dytë do të rezultojë me sukses dhe Kuvendi do të arrijë të konstituohet brenda afatit kushtetues.