Live

Krasniqi: Mandatet duhet t’i kthehen popullit, para se vendi të shkojë në zgjedhje të reja partitë të bien dakord për disa çështje

12:03 / 23 Gusht 2025

Nga Kosova Live

Edhe gjashtë muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare vendi është pa institucione të reja, të dala nga zgjedhjet e 8 shkurtit.

Procesi i konstitutimit të Kuvendit të Kosovës ka mbetur në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Derisa Lëvizja Vetëvendosje për disa javë radhazi ka propozuar Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, dhe më pas edhe Donika Gërvallën dhe së fundi edhe Hekuran Murati, nga PDK, LDK dhe AAK thonë se janë emra të papranueshëm dhe nuk janë unifikues.

Së fundit nga PDK theksuan se janë mbi 35 emra nga LVV që do t’i votonin për kryetar të Kuvendit, por jo ata që kanë qenë pjesë e kabinetit qeveritar të Kurtit si dhe Mimoza Kusarin.

Edhe nga AAK kanë deklaruar se disa emra të LVV do t’i votonin për kryetar të Kuvendit, gjersa nga LDK kanë deklaruar se nuk do të votojnë asnjë emër nga LVV për kryetar të Kuvendit pa një marrëveshje politike.

E lidhur me ngërçin politik që ka zgjatuar që disa muaj ka shkruar Albert Krasniqi nga Demokracia Plus.

Krasniqi në një postim në Facebook shkruan se pasi askush nuk ka arritur të krijojë një shumicë parlamentare edhe gjashtë muaj pas zgjedhjeve, mandatet duhet t’i kthehen popullit.

Por, sipas tij, para se vendi të shkojë në zgjedhje të reja, partitë politike duhet të bien dakord mbi disa çështje themelore që do të shmangin bllokadat e së ardhmes dhe do të garantojnë funksionalitetin institucional.

Këto janë disa nga çështjet që sipas Krasniqit duhet të bien dakord parakusht partitë politike:

Konstituimi i Kuvendit – të zgjidhet një kandidat konsensual për Kryetar të Kuvendit, i cili nuk vjen nga partitë kryesore politike;

Ndryshime kushtetuese për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit – të mundësohet një garë me më shumë kandidatë dhe sistem dy raundesh, duke ndjekur modelet e Shqipërisë apo Maqedonisë së Veriut, për të shmangur bllokadat e ngjashme në të ardhmen;

Zgjedhja e Presidentit nga populli – megjithëse shpesh shihet si një ushtrim i panevojshëm demokratik, votimi i drejtpërdrejtë rrit stabilitetin institucional dhe e lehtëson procesin e formimit të koalicioneve paszgjedhore;

Ndryshime në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme – të reduktohet numri i votave preferenciale nga 10 në 3, të rikthehet numërimi i votave në vendvotime dhe të adresohen problemet e krijuara nga ndryshimet e fundit;

Opsionalisht, reformim i zgjedhjeve lokale – të shqyrtohet mundësia që zgjedhjet për kryetarë komunash të zhvillohen në vetëm një raund (fiton kandidati i renditur i pari) dhe të ulet numri i nënshkrimeve të nevojshme për shkarkimin e tyre.

Shpërndaje në

U Kopjua