Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në intervistën për televizionin polak TVP, ndër të tjera ka folur edhe për shtetin serb dhe Aleksandër Vuçiqin, të cilin e quajti mjeshtër të propagandës.
Sipas saj, me veprimet e tij, Vuçiq po e bën Perëndimin të besojë se ai po qëndron mes dy karrigeve, por në fakt, ajo thotë, se ai ka zgjedhur të ulet në karrigen e Rusisë.
“Vuçiqi ka përdorur propagandën si mjet kryesor me dekada. Kur Millosheviqi bënte lufta në Kroaci, Bosnjë e Kosovë, ai zgjodhi një person ministër të propagandës – Vuçiqin. Nga e gjithë ish-Jugosllavia e zgjodhi Vuçiqin si ministër të propagandës, në kohë lufte. Vuçiqi, njeriu që sot është president i Serbisë. Propagandën e bën më së miri. E ka përdorur në mënyrën për ta bindur Perëndimin se qëndron mes dy karrigeve. Por, ai nuk është në mes, është në karrigen e Rusisë, e tjetra është aktrim bazuar nga përvoja. Ai propagandën po e përdor tash edhe kundër njerëzve të tij”, tha Osmani.
Osmani është pyetur edhe për situatën në Serbi dhe nëse protestat atje mund të ndikojnë në vendin tonë.
“Vuçiqi kur është në telashe në vendin e tij, tenton të shkaktojë probleme në Bosnjë, Kosovë e pjesë tjera. E përdor më pas kartën nacionaliste…Ai do të mundohet ta largojë vëmendjen, por ne jemi të gatshëm ta mbrojmë vendin tonë dhe ta neutralizojmë çdo agresion që mund ta ketë në mendje”, tha Osmani.