Live

Paraburgoset i dyshuari për sulm ndaj ushtarëve të KFOR-it

20:45 / 26 Gusht 2025

Nga Kosova Live

Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe përmes Aktvendimit ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji ndaj të pandehurit L.M., për pjesëmarrje në sulmin kundër pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan, më 2023.

Ai akuzohet për veprat penale “Bashkimi për veprimtari kundër kushtetuese me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, “Rrezikimi i personave nën mbrojtje ndërkombëtare”, “Sulmi ndaj personit zyrtar” dhe “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”.

Gjyqtari i procedurës paraprake, pas seancës dëgjimore vlerësoi se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin L.M., pasi ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprat e sipërpërmendura penale.

“Ekziston dyshimi i bazuar se me datë 29.05.2023, në intervalin kohor duke filluar nga ora 06:00 e deri në orët e mbrëmjes, në perimetrin në të cilin gjendet objekti i Komunës së Zveçanit, i pandehuri L. M., në koordinim me shumë të dyshuar të tjerë të nacionalitetit serb nga Kosova dhe Serbia, kanë marrë pjesë aktive në grupin e personave me qëllim të kryerjes së veprave penale serioze, në atë mënyrë që përmes përdorimit të dhunës kanë tentuar që të pengojnë vendosjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës në komunat veriore të vendit, ashtu që edhe përkundër urdhrave të ushtarëve të misionit paqeruajtës të KFOR-it për shpërndarje të qetë të turmës dhe refuzim të hyrjes në objektin e komunës, të pandehurit kishin filluar që të ushtrojnë dhunë të pakontrolluar, me mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara si dhe me armë zjarri, nga të cilat janë lënduar të paktën 30 (tridhjetë) pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të KFOR-it, 3 (tre) nga ta nga predhat e armëve të zjarrit, si dhe duke shkaktuar dëme materiale të konsiderueshme në automjetet e KFOR-it, Policisë së Kosovë, si dhe në veturat e gazetarëve të cilët kanë mbuluar ngjarjet e kësaj dite, të cilat përfshijnë djegien e plotë të disa automjeteve ose dëmtimin fizik në masë të madhe”, u tha në njoftimin e Gjykatës Themelore.

Gjykata vlerësoi se pesha e veprave penale është e natyrës së rëndë dhe komplekse, andaj thuhet se caktimi i masës së paraburgimit është masë e domosdoshme në këtë rast penal dhe se çdo masë tjetër do të ishte e pamjaftueshme për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale.

“Gjykata konstatoi se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri L.M. nëse gjendet në liri, mund të arratiset duke pasur parasysh faktin se ai ka shtetësinë e Serbisë, ka vendbanimin e përhershëm në Serbi, andaj ka gjasa reale se mund të arratiset dhe mund të jetë i pa arritshëm për fazat tjera të procedurës penale. Gjithashtu nëse i pandehuri lihet në liri paraqet rrezik real se i njëjti mund t’i asgjësojë, fshehë, ndryshojë ose falsifikojë provat e veprave penale, ose të pengojë rrjedhën normale të hetimeve, e veçmas mund të ndikojë tek bashkëkryesit tjerë si dhe mund të ndikojë në dëshmitarë dhe persona të tjerë”, u tha në njoftimin e Gjykatës.

Kundër këtij aktvendimi, u tha se palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë. 

Shpërndaje në

U Kopjua