Analisti Shenoll Muharremi e ka komentuar dorëheqjen e Liburn Aliut nga posti i Ministrit të Infrastrukturës, e cila erdhi si shkak i Dimal Bashës si kryekuvendar.
Sipas tij, Aliu nuk është i pari e as i fundit që ka lënë Kurtin. Ai thotë se shumica e njerëzve me integritet, vlera dhe shkathtësi janë larguar.
“Dorëheqja e Liburn Aliut po demonstron që LVV dhe Albin Kurti kanë rënë në kurthin e lakmisë për pushtet absolut dhe kanë humbur rrugën. Një parti që dikur fliste për demokraci dhe ideale sot është shndërruar në makineri autokratike, pa frymë të brendshme demokratike, pa konsultime cilësore të brendshme dhe pa busull morale. LVV ka braktisur gjithçka për çka u formua. Sot merret me kapjen e bordeve e institucioneve publike, me vendosjen e militantëve në çdo cep të shtetit, me ndërhyrje brutale politike në RTK dhe institucione tjera … e madje edhe me sulme ndaj ekonomisë dhe bizneseve që e ushqejnë këtë shtet. Liburni nuk është i pari e as i fundit që e ka lënë Kurtin. Shumica e njerëzve me integritet, vlera dhe shkathësi janë larguar. Aty kanë mbetur kyesisht ata që nuk guxojnë ta sfidojnë liderin edhe kur ai gabon, duke mos i dhënë asnjë vlerë as partisë, as shoqërisë”, ka shkruar Muharremi në Facebook, njofton Klankosova.tv.
Analisti tutje shprehet se LVV-ja sot është e njohur si parti e përçarjes dhe polarizimit, e linçimeve, sulmeve, nacionalizmit negativ dhe populizmit të rrezikshëm.
Parti e mosbashkëpunimit dhe bllokadës institucionale. Dështimi për të krijuar frymë të brendshme të pluralizmit dhe demokracisë ka prodhuar një parti pa kapacitete për qeverisje dhe pa vizion për të ardhmen. E ardhmja e LVV-së nuk duket e mirë pa një reformë të thellë dhe të gjerë. E partia do të ketë vështirë të ndaloj tkurrjen e saj periudhën e tashme dhe të ardhshme. Rruga që ka zgjedhur lideri dhe po aplikon partia duket sikur rrugë drejt humbjes dhe tkurrjes sistematike derisa vjen një moment që reforma dhe ndryshimet janë e vetmja rrugë për shpëtim”, përfundoi Muharremi, njofton Klankosova.tv.