Live

Vetëvendosja e Liburn Aliut, lideri i tij e kishte lënë jashtë kryesisë dhe listës së zgjedhjeve

13:45 / 27 Gusht 2025

Nga Kosova Live

Njëriu kyç i Albin Kurtit, vetëvendosi sot duke dhënë dorëheqjen unanime nga pozita e ministrit të Infrastrukturës duke vënë në pah një çarje brenda subjektit që përfaqëson.

Liburn Aliu, ishte njëri ndër themeluesit e Vetëvendosjes, mbetur ende në parti që nga nisma e saj, ku bashkë me Albin Kurtin e Glauk Konjufcën, ishin bashkë qysh nga organizata KAN, e cila më pas u kthye në Lëvizje, transmeton klankosova.tv.

Në një deklarim të tij të dikurshëm në DPT në T7, Liburn Aliu, fliste mbi konceptin e subjektit qysh nga arrestimi i tij më 1997.

”Nga viti 2002 ka qenë ideja e konceptit të vetëvendosjes”.

”Ka qenë koncept që e kemi pasur në të kaluarën. Kur u pata arrestuar në vitin 1997 pata thënë para gjykatësit serb se dua vetëvendosje për popullin tim”.

”Ideja e vetëvendosjes ka qenë ajo e cila ka ndërtuar politikisht, pasi që na imponohej kjo ideja e standardeve”.

”Na thonin plotësoni standardet që të mund të uleni në tavolinë me Serbinë, e pastaj të flitej për ndonjë status pa na pyetur ne a dëshirojmë pavarësi, bashkim me Shqipërinë apo tjetër çka”.

Shumica prej nesh i lanë edhe punët e tyre për tu marrë me organizatën. Nuk kishim fare donacione, ishim të limituar”.

Por paria e Vetëvendosjes, la në hije gjithë angazhimin e Liburn Aliut, i cili edhe në vitin 2020, deklaronte se zgjedhjet janë mënyra e vetme e marrjes së një legjitimiteti të ri dhe çdo herë ishte pro organizimeve.

”Protestat janë pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ne nuk i përjashtojmë asnjëherë protestat si mjet. Tani për tani nuk ka nevojë për protestë”.

Kjo pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili i kishte dhënë të drejtë asokohe presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit për dekretimin e Avdullah Hotit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, si mandatar për formimin e qeverisë së re.

Edhe më 2022-ën, ai ishte lënë jashtë strukturave të reja të Vetëvendosjes.

Ai nuk figuronte në asnjërën prej pozitave të rëndësishme në Lëvizje.

Megjithatë duket se pakënaqësitë me shijet e liderit të tij Albin Kurtit, arritën kulmin, qysh dje me zgjedhjen e Dimal Bashës, kryeparlamentar.

Meqë Liburn Aliu si njëri ndër aktivistët më të hershëm të Vetëvendosjes, s’ishte përfshirë as në listën e zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Dhe sot, përfundimisht ai njoftoi largimin e tij nga pozita e ministrit në detyrë në Qeverinë Kurti si shenjë revolte e qasjes së partisë ndaj tij.

Shpërndaje në

U Kopjua