Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, ka kritikuar partitë opozitare për mungesën e mbështetjes ndaj Nenad Rashiqit për pozitën e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës.
“Nuk e kuptojmë cili është qëllimi i deputetëve të opozitës, ku një pjesë abstenon, siç janë deputetët e PDK-së dhe AAK dhe NISMA, ndërsa ata të LDK nuk marrin pjesë në votim”, deklaroi Murati.
Ai theksoi se Vetëvendosje ka qëndruar konsistente në refuzimin e përfaqësuesve të Listës Serbe për këtë post, duke e treguar këtë përmes votës në çdo tentativë kur propozohen kandidatë nga kjo listë. Sipas Muratit, kjo nuk vlen për Nenad Rashiqin, i cili, ndryshe nga të tjerët, e njeh shtetin dhe institucionet e Kosovës, transmeton Klankosova.tv.
“Ne e kemi qartësuar tash e sa kohë që ne nuk kemi votuar për asnjërin prej anëtarëve të Listës Serbe për nënkryetar të Kuvendit, dhe këtë po e tregojmë edhe me votë në të gjitha tentativat, sa herë që ka kandidat të propozuar nga radhët e Listës Serbe. Dhe po e tregojmë me votë. Dhe nëse 9 prej tyre janë të papranueshëm, mbetet vetëm një, që është Nenad Rashiq, që megjithatë konsiderojmë se e njeh shtetin e Kosovës, i pranon institucionet e Republikës së Kosovës”, tha Murati.