“Në emër të popullit të Kosovës” – me këtë fjali, Charles Smith, do ta nis shqiptimin edhe të aktgjykimit më të madh të Gjykatës Speciale të Kosovës.
Ndërkaq, populli në emër të së cilit merret verdikti për katërshen e UÇK-së, ka një thirrje paraprake për gjykuesit e luftës së UÇK-së.
Kjo është vetëm një nga porositë që kumbojnë në Hagë të Holandës më 14 shtator, në protestën e mërgatës dhe përkrahësve të Ushtrisë Çlirimtare e cila për arsye siguria s’u la të mbahet pranë Dhomave të Specializuara.
Një thirrje megjithatë do ta afrojë tubimin afër objektit, figurativisht.
Në qytetin evropian shprehet pakënaqësia me vetë politikanët e Bashkësisë që krijoi gjykatën.
Ballkani vuajti nga regjimi serb, jo nga UÇK-ja, për çka po ashtu do t’i bëhet thirrje Speciales të reflektojë.
Shqiptarët e Kosovës, Ballkanit, Evropës e përtej atlantikut, tërheqin edhe një paralele para se ish komandanti i aleancës më të fuqishme politike-ushtarake të globit të dëshmojë pro Thaçit.
Derisa Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi mbështeten edhe në dëshmitarë të gjallë e të vdekur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shtëpisë së bardhë i niset mesazh edhe nga rrugët e atij që njihet si qyteti i drejtësisë.
Protesta e shtatorit mbahet të dielën e dytë të muajit, para fillimit të fazës së fundit të gjykimit, dëgjimi i dëshmitarëve të mbrojtjes, që nisin me një ish funksionar amerikan, e vazhdon me një britanik.