Në vendin ku gratë pohojnë se ndodhë tmerri, këmba e shtetit rrallë shkel aty. Kiks Kosova ka nisur serinë e hulumtimeve për keqtrajtimin e shtatzënave në repartin e Gjinekologjisë në QKUK.
Në dy hulumtimet e transmetuar deri tani, nënat e reja kanë treguar tmerrin e përjetuar para dhe gjatë kohës së sjelljes së fëmijëve të tyre në jetë.
Nëna të shumta të cilat ia kanë besuar përjetimet e tyre Kiksit, kanë akuzuar mjekët, mamitë dhe infermierët në repartet e Gjinekologjisë në Kosovë për trajtime çnjerëzore, të cilat përveç që i fajësojnë për lëndime të të posalindurve, pohojnë se u kanë shkaktuar edhe trauma.
E në institucionet ku gratë shtatzëna neglizhohen e keqtrajtohen, shteti rrallë shihet.
Për 5 vjet, Inspektorati Shëndetësor i Ministrisë së Shëndetësisë kreu vetëm 44 inspektime në repartet e Gjinekologjisë.
Ose më saktë, në 1 mijë e 824 ditë sa përfshin kjo periudhë, inspektorët inspektuan në këto institucione vetëm 44 prej tyre.
Në përgjigjet e Inspektoratit Shëndetësor për Kiksin, thuhet se kjo shifër përfshin inspektime të planifikuara, të paplanifikuara, tematike dhe specifike.
E ditët kur inspektorët dolën në terren dhe inspektuan repartet e Gjinekologjisë, hasën në disa shkelje.
Nga ky inspektorat i thanë emisionit se nuk kanë kompetencë për vlerësimin e shkeljeve etiko-profesionale, prandaj të gjitha dyshimet i përcjellin në Këshillin Etik të Odës së Mjekëve të Kosovës.
Inspektorati njofton se në rastet kur janë hasur parregullësi, ky organ ka shqiptuar edhe vërejtje me shkrim.
Në inspektimet e realizuara, Inspektorati ka shqyrtuar edhe trajtimin e pacientëve, çështje për të cilën ka dhënë rekomandime. Ndërkaq, mbikëqyrja e cilësisë së komunikimit pohojnë se bëhet nga koordinatorët e cilësisë në kuadër të institucionit shëndetësor dhe kjo nga inspektorët.
Nga anekesat e shumta që janë drejtuar në Inspektoratin Shëndetësor gjatë pesë viteve të fundit, vetëm 6 prej tyre janë për Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK.
E nga QKUK-ja, një ditë pas transmetimit të rrëfimeve të para të nënave në Kiks, apeluan që çdo vërejtje, shqetësim, pakënaqësi apo dëmtim, të kthehet, me patjetër në ankesë zyrtare.