Lëvizjes Vetëvendosje nuk i ka rënë tamam vendimi i fundit i lëshuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës për pezullimin e punës në Kuvendin e Kosovës për 25 ditë, pasi dorëzoi ankesë Lista Serbe, për mos votimin e një kandidati të saj për nënkryetar të parlamentit nga komunitetit serb.
LVV-ja akuzon Kushtetuesen se me këtë vendim ka mbajtur anë.
Subjekti që doli i pari nga zgjedhjet e 9 shkurtit, gjithashtu tha se ndalimi i punës së 120 deputetëve është në kundërshtim të plotë me funksionalizimin e një nga institucioneve më të rëndësishme të shtetit, siç është Kuvendi.
“Ky diktat i Gjykatës Kushtetuese që ka vendosur Kuvendin në pauzë pse Lista Serbe nuk mori votat e mjaftueshme për të pasur një Nënkryetar, po i çon në 112 ditët e pritjes së vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, prej 15 prillit kur dhe filloi procesi i konstituimit të Kuvendit”, thuhet në reagimin e VV-së.
VV-ja tha se as Lista Serbe, dhe asnjë parti që ka vende të rezervuara në Kuvend nuk duhet dhe nuk e ka të drejtën e vetos për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
“Në tekstin prej 15 faqesh që Gjykata ka përgatitur për të përmbledhur faktet dhe arsyetimin e masës është paraqitur disa herë vlerësimi i ankuesve se atyre u takon ekskluziviteti i propozimit dhe zgjedhjes së Nënkryetarit. Kjo nuk është thënë as në Kushtetutë, kjo nuk është as fryma e organizimit të shtetit të Kosovës. Çdo interpretim e aktgjykim që do të shkonte në këtë drejtim do të ngurtësonte të drejtën e vetos në konstituimin e Kuvendit nga Lista Serbe”, u shpreh VV.