Live

AGK-ja dënon ndalimin arbitrar të kameramanit Jetmir Muji nga mbrojtja e afërt e Osmanit

17:10 / 10 Shtator 2025

Nga Kosova Live

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) është njoftuar për pengim serioz të punës së kameramanit të portalit “Paparaci”, Jetmir Muji gjatë realizimit të xhirimit për familjen presidenciale, Osmani – Sadriu.

Mbrojtja e afërt e Presidentes Osmani ka ndaluar arbitrarisht fizikisht Mujin, i cili po xhironte në një shkollë prívate ku e para e shtetit dërgon dy vajzat e saj. Ai është mbajtur jashtëligjshëm nga pjesëtarët e mbrojtjes së afërt për disa minuta, i është konfiskuar kamera dhe i është kërkuar që të fshihet xhirimi.

AGK-ja e vlerëson skandaloz dhe të papranueshëm ndalimin, dhe kërkon nga Presidentja Osmani dhe Policia e Kosovës të identifikojnë dhe të marrin masa ndaj atyre që janë përfshirë në këtë akt.

Duke respektuar Kodin e Etikës kur janë në pyetje të miturit, mediat dhe gazetarët kanë të drejtë të raportojnë për atë se ku shkollohen fëmijët e krerëve të shtetit, dhe në çfarë kushte.

Çdo pengesë për të realizuar këtë të drejtë raportimi, është sulm kundër lirisë së medias, dhe të drejtës së qytetarëve për informim.

E ftojmë Presidenten Osmani të distancohet nga kjo sjellje e mbrojtjes së afërt, dhe të bëjë transparente informacionet për familjen presidenciale, kur kjo kërkohet nga ana e mediave.

Shpërndaje në

U Kopjua