Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu, ishte një nga figurat politike që iu bashkua protestës madhështore të mbajtur dje në Hagë, ku mijëra shqiptarë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës dhe mërgata nëpër botë u mblodhën për të protestuar kundër, siç e quajtën ata, padrejtësive që po u bëhen ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gjykatën Speciale.
Deliu foli për atmosferën e protestës, por edhe për mesazhet që ajo përçoi si për qytetarët, ashtu edhe për drejtësinë ndërkombëtare.
“Ishte një protestë jashtëzakonisht madhështore dhe dinjitoze. Shqiptarët treguan unitet e përkushtim. Kishte pjesëmarrës nga të gjitha trojet shqiptare nga Australia e largët, nga ShBA-ja, nga shtetet e Evropës, e të rajonit, gjithandej dje kishin ardhur për t’i dhënë mbështetje një procesi që besoj se do përmbyllet në favor të ish-krerëve të UÇK-së”, deklaroi Deliu në Klankosova.