Live

Trumpi e shpall lëvizjen Antifa si “organizatë terroriste” pas vrasjes së Charlie Kirk

09:40 / 18 Shtator 2025

Nga Kosova Live

Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, ka sinjalizuar masa të reja kundër grupeve të majta pas vrasjes së aktivistit të krahut të djathtë, Charlie Kirk, duke e shpallur lëvizjen anti-fashiste Antifa si “organizatë terroriste”.

Në një postim në platformën “Truth Social”, Trump shkroi se është duke e “përcaktuar” Antifa-n si organizatë terroriste. “Po ashtu do të rekomandoj fuqishëm që ata që financojnë ANTIFA-n të hetohen në mënyrë të plotë, sipas standardeve dhe praktikave më të larta ligjore”, theksoi ai, raporton “Reuters”.

Megjithatë, ekspertët thonë se kjo shpallje nuk ka peshë të qartë ligjore, pasi Antifa nuk është një strukturë e centralizuar, por një lëvizje ideologjike pa udhëheqje apo hierarki të përcaktuar.

Kjo vjen një ditë pasi prokurorët në Utah ngritën akuza zyrtare ndaj 22-vjeçarit Tyler Robinson, i dyshuar për vrasjen e Kirkut. Deri më tani nuk ka prova që Robinson të ketë qenë pjesë e ndonjë grupi të jashtëm, ndërsa mbeten të paqarta edhe motivet e tij të sakta.

Trump dhe zyrtarë të lartë kanë akuzuar vazhdimisht grupet e majta për krijimin e një atmosfere armiqësore ndaj konservatorëve, e cila sipas tyre çoi në vrasjen e Kirkut.

Shtëpia e Bardhë, ndërkohë, është duke përgatitur një urdhër ekzekutiv për dhunën politike dhe gjuhën e urrejtjes, konfirmoi një zyrtar i administratës Trump të mërkurën.

Shpërndaje në

U Kopjua