Live

Bajrami (LDK), Kurtit: Degradimi i raporteve Kosovë-ShBA e gëzon Serbinë, neve na shqetëson

14:56 / 19 Shtator 2025

Nga Kosova Live

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas deklarimeve të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili sot tha se ish-opozita po e stërmadhojnë vendimin e Shteteve të Bashkuara për pezullimin e dialogut strategjik me Kosovën.

Bajrami përmes një postimi në Facebook, tha se Kurti po e relativizon një situatë tejet serioze për Kosovën, duke e akuzuar atë se ka uzurpuar institucionet e shtetit dhe po teston kufijtë e drejtësisë.

“Sipas deputetit Kurti, Ambasada Amerikane në Prishtinë qenka e veçuar nga politika e jashtme amerikane, me siguri edhe kur është tallur me sekretarin e shtetit ka mendu që po bën shaka me një fqinjë të rëndomtë, pra ky është niveli i seriozitetit të Kurtit i cili ka uzurpaur zyrat e shtetit dhe po teston limitet e Prokurorisë, veprimin e të cilës po e presim me muaj”, ka shkruar Bajrami.

Ajo theksoi se degradimi i raporteve mes Kosovës dhe ShBA-ve nuk e dëmton opozitën, por i shkon për shtat Serbisë dhe Rusisë, raporton Klankosova.tv.

“Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje uroj shumë ta kuptojnë sa më parë që degradimi i raportëve Kosovë – SHBA e gëzon Serbinë dhe Rusinë, por asesi ish opozitën. Lidhja Denokratike e Kosovës është tejet e shqetësuar për ndërprejen e dialogut strategjik me SHBA-të dhe ne angazhohemi pa ndalë që raportet tona miqësore e diplomatike t’i ruajmë e thëllojmë tutje.

Natyrisht, se Kurtit nuk i duket asgjë pezullimi i procesit të fillimit të Dialogut Strategjik me SHBA-të sepse kurrë në jetën e tij nuk ka kontribu për të ndërtuar raporte me SHBA-të apo ndonjë aleatë tjetër të shtetit tonë.

Kurti është tallur me sekretarin amerikan, është tallur me Shtëpinë e Bardhë dhe tash po tallet me qytetarët e Kosovës, duke thënë se dikush tjetër po ekzagjeron masën e fundit të SHBA-ve që është pezullimi i fillimit të Dialogut Strategjik”, ka shkruar Bajrami.

Sipas deputetes, për shkak të politikave të Kurtit, Kosova nga mesi i vitit 2023 është nën sanksione të BE-së, nuk ka arritur njohje të reja dhe nuk është anëtarësuar në organizata ndërkombëtare.

“Për shkak të Albin Kurtit, Kosova nga mesi i vitit 2023 është në sanksione të BE-së, nuk ka marrë pothuajse asnjë njohje qe 5 vjet, përjashtim njohjes që e solli Pacolli, nuk është anëtarësuar pothuajse në asnjë organizatë.

Të vetmen punë që ka bërë në këto pesë vjet Albin Kurti është rritja e tregtimit të energjisë elektrike dhe rreth 300 milionë Euro tenderat njëburimor”, shkroi Bajrami.

Shpërndaje në

U Kopjua