Dy aeroplanë luftarakë rusë nga Forcat e Armatosura të Rusisë kryen një fluturim të ulët mbi platformën e naftës polake Petrobaltic në Detin Baltik, raportoi Polskie Radio 24.
“Shërbimet përgjegjëse për sigurinë e Polonisë monitorojnë vazhdimisht situatën brenda infrastrukturës kritike detare, duke përfshirë zonat jashtë ujërave territoriale të Republikës së Polonisë”, tha Shërbimi Shtetëror Kufitar në një deklaratë.
“Aeroplanët luftarakë fluturonin në një lartësi prej afërsisht 150 metrash”, shkroi në rrjetin social X Karolina Galecka, zëdhënëse e Ministrisë së Brendshme dhe Administratës.
Nuk janë publikuar detaje të mëtejshme rreth incidentit në këtë kohë.
Ministria e Mbrojtjes Kombëtare deklaron se Shërbimi Shtetëror Kufitar është përgjegjës për hetimin e kësaj ngjarjeje.
Ndryshe, platforma e naftës Petrobaltic i përket Grupit Orlen dhe operon në pjesën polake të Detit Baltik.
Përdoret për shfrytëzimin e depozitave të naftës dhe gazit të vendosura nën shtratin e detit.
Është i vetmi vend në Poloni ku burimet e energjisë nxirren direkt nga deti.
Ndodhet disa dhjetëra kilometra në veri të Rozewie dhe përbën një element kyç të sigurisë kombëtare të energjisë.
Por, ky nuk është incidenti i parë sot.
Kujtojmë se më parë, tre aeroplanë luftarakë rusë MiG-31 hynë në hapësirën ajrore të Estonisë dhe qëndruan atje për 12 minuta.