Live

Goditet grupi i trafikimit të armëve nga Shqipëria drejt Anglisë

12:57 / 21 Shtator 2025

Nga Kosova Live

Policia e Shqipërisë ka goditur një rast të trafikimit të armëve të zjarrit nga Shqipëria drejt Anglisë.

Sipas Policisë, lidhur me rastin janë identifikuar tre të dyshuar, derisa dy kanë përfunduar në pranga, transmeton Klankosova.tv.

Po ashtu policia bën me dije se është sekuestruar një armë zjarri pistoletë me silenciator, e ndarë në pjesë dhe e fshehur brenda një televizori.

“Në vendin e quajtur “Bulevardi i ri”,  në Tiranë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 Tiranë,  kanë ushtruar kontroll në një kamion që dyshohej se disa shtetas kishin fshehur një armë zjarri për ta trafikuar. Nga kontrolli në brendësi të një televizori, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan armën e zjarrit  me silenciator, të ndarë në pjesë. Në vijim të operacionit në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër u arrestuan shtetasit J. S., 26 vjeç, dhe S. M., 20 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi R. A., 20 vjeç, të tre banues në Shkodër”.

“Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë tentuar të trafikojnë një armë zjarri me silenciator, me destinacion Anglinë, nëpërmjet kamionit të një shtetasi i cili nuk kishte dijeni për armën që ndodhej në brendësi të televizorit. Vijojnë hetimet, nën drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve pas dyshohet se kanë trafikuar dhe armë të tjera si dhe për identifikimin e kapjen e të tjerëve të përfshirë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Shpërndaje në

U Kopjua