Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj niset sot në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si Kryesues i delegacionit shqiptar në punimet e Javës së Nivelit të Lartë të Sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Presindenca e Shqipërisë ka bërë me dije se Begaj do të marrë pjesë në Javën e Nivelit të Lartë të Sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, që do të zhvillohet në Nju Jork në datat 22 – 27 shtator 2025.
“Gjatë kësaj jave, Kreu i Shtetit do të mbajë fjalën e tij në Debatin e Përgjithshëm të Asamblesë së Përgjithshme, ku do të prezantojë qëndrimet e Shqipërisë mbi çështjet kryesore, përfshirë paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, multilateralizmin, zhvillimin e qëndrueshëm dhe të drejtat e njeriut”.
“Agjenda e Presidentit Begaj përfshin, gjithashtu, pjesëmarrjen në disa aktivitete të rëndësishme shumëpalëshe. Kreu i Shtetit do të zhvillojë edhe takime dypalëshe me homologë të tij dhe përfaqësues të lartë të OKB-së”.
“Pjesë e agjendës së Presidentit Begaj do të jenë edhe takimet me përfaqësues të Diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe disa vizita në shkollat ku fëmijët e Diasporës mësojnë gjuhën amtare”, thuhet tutje në njoftimin e Presidencës.