Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se subjekti që ky drejton, nis zyrtarisht fushatën për Zgjedhjet Lokale më 13 shtator në Prishtinë, me moton “Dritë për Komunat”.
Në këtë ngjarje, pritet të prezantohen arritjet e qeverisjes lokale të AAK-së dhe vizioni për zhvillimin e barabartë të të gjitha komunave, transmeton klankosova.tv.
”Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) do të hapë zyrtarisht fushatën për Zgjedhjet Lokale të 12 tetorit 2025, më 13 shtator 2025, duke filluar nga ora 13:00, në Hotel Venus, Prishtinë.
Slogani ynë është “Dritë për Komunat”, kjo vjen për faktin se qeverisja e AAK-së në komuna ka dëshmuar rezultate konkrete, duke ofruar modele të sukseshme të udhëheqjes dhe zhvillimit lokal. Kryetarët tanë dhe ekipet qeverisëse kanë arritur suksese të prekshme, duke u renditur lart në tabelat e performancës komunale.
Gjatë viteve të qeverisjes, AAK ka sjellë një frymë të re në administratë dhe ka ndryshuar pamjen e qyteteve tona. Aleanca jonë me qytetarët është e qëndrueshme dhe e ndërtuar mbi besim të ndërsjellë.
Ftojmë të gjithë qytetarët, simpatizantët dhe përkrahësit tanë të na bashkohen në këtë ngjarje të rëndësishme, për të filluar së bashku rrugëtimin drejt një modeli zhvillimi të barabartë për të gjitha komunat”.