Administrata e presidentit Donald Trump ka urdhëruar të gjitha ambasadat amerikane nëpër botë të ndalojnë përkohësisht caktimin e takimeve për dhënien e vizave studentore, ndërsa përgatitet të zbatojë masa më të ashpra kontrolli ndaj aplikantëve, përfshirë vetting në rrjetet sociale.
Sipas një memorandumi zyrtar të lëshuar nga Departamenti i Shtetit, ambasadat dhe konsullatat do të përballen me ngarkesë të shtuar për shkak të këtij procesi të ri të verifikimit të thelluar, i cili pritet të prekë kryesisht studentët ndërkombëtarë që kërkojnë të studiojnë në Shtetet e Bashkuara.
Kjo lëvizje vjen në një periudhë tensionesh në rritje mes administratës Trump dhe universiteteve elitë amerikane, të cilat presidenti i ka kritikuar për qëndrime të majta dhe mungesë të reagimit ndaj antisemitizmit, sidomos pas valës së protestave pro-palestineze në kampuse.
Universitetet e mëdha mund të përballen me pasojë të ndjeshme, pasi ato mbështeten ndjeshëm në studentët e huaj, të cilët paguajnë tarifa më të larta dhe përbëjnë një burim të rëndësishëm të të ardhurave.
Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Tammy Bruce, deklaroi se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të garantuar sigurinë kombëtare dhe për të kontrolluar në mënyrë rigoroze çdo individ që kërkon të hyjë në vend.
Ndërkohë, Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, sqaroi se pezullimi i takimeve të reja për vizat studentore do të mbetet në fuqi deri në një vendim të ri. Takimet e planifikuara më parë do të zhvillohen si zakonisht.