Live

Ahmeti-Osmanit: E dashur Presidente më vjen shumë keq, skuqem nga turpi i tyre

13:32 / 02 Gusht 2024

Nga Kosova Live

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti ka dënuar incidentin diplomatik në aeroportin e Shkupit ku ishte e përfshirë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

“E dashur Presidente, më vjen shumë keq për incidentin dhe skandalin e papranueshëm diplomatik në aeroportin e Shkupit dhe e dënoj në formën më të ashpër të mundshme. Unë skuqem nga turpi i tyre dhe lus të gjithë vëllezërit dhe motrat në Kosovë, por edhe qytetarët tanë, që ti falin për arsye se nuk dijnë se ç’bëjnë. Kur nuk kanë turp të shkelin mbi popullin e vet, mbi vullnetin demokratik të qytetarëve në zgjedhje e të vihen në shërbim vazal e servil të tjetër kujt duke na sjell Putinin e Vuçiqin në Qeveri, atëherë si pyet askush për asgjë dhe na turpërojnë çdo ditë, nga disa herë me rradhë”, ka shkruar ai në “Facebook”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është përfshirë në një incident me pjesëtarët e sigurimit në Aeroportin e Shkupit, prej ku planifikonte të udhëtonte për diku nëpërmjet Zonës VIP. Sipas Presidencës, Osmani u provokua dhe u tentua që t’i merrej telefoni dhe bagazhi për t’iu kontrolluar në skaner. Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut tha se bagazhi megjithatë u skanua. Aeroporti i Shkupit ka bërë një reagim, pa ia përmendur emrin Presidentes, duke thënë se e kanë obligim ta kontrollojnë secilin pasagjer. Nga MPJD e kanë quajtur këtë trajtim jo dinjitoz, derisa kanë thënë se po mbledhin informata nga Ambasada e Maqedonisë dhe Ministria e Punëve të Jashtme.

Shpërndaje në

U Kopjua