Live

“Ai ma ka vra çikën – 500 herë me e mbyll rastin, unë prapë do kërkoj drejtësi” (VIDEO)

20:20 / 08 Shtator 2025

Nga Kosova Live

Lajmi se e bija bëri vetëvrasje, sikur nuk i bindi kurrë. Familjes Behrami nga Sfeçla e Podujevës, dyshimet mbi dhëndrin po u rriten dita ditës.

Derisa e bija e tyre 27-vjeçare, Bahtije Behrami u tha se u vetëvra në oborrin e shtëpisë së saj, e ëma dhe gjithë familja tanimë po dyshojnë se atë e mbyti i shoqi i saj.

Që nga vdekja e mistershme e së bijës, Sebahate Behrami thotë se dhëndri Gëzimi nuk po u lejon as që t’i shohin fëmijët. Madje sipas saj, ai po i shkruan familjes Behrami mesazhe në emër të fëmijëve.

Bindjen se të bijën ua vrau dikush nga familja Berisha nga Batllava e Podujevës, sipas tyre, po ua forcon fakti që drejtësia nuk po merr drejtim.

Para disa ditësh, për herë të dytë Prokuroria Themelore në Prishtinë mbylli hetimet lidhur me rastin e Bahtijes.

Një lajm i tillë, sipas Sebahates ishte shokues për ta.

Zhgënjimi nga institucionet e vendit thotë se u rrit sa nuk ka më për familjen Behrami pasi morën këtë lajm. Mirëpo këto vendime nga institucionet e Drejtësisë, Sebahatja thotë se nuk po i zmbrapsin aspak ata që të vazhdojnë e të kërkojnë drejtësi për të bijën.

Lajmi për mbylljen e rastit për herë të dytë nuk qe i mirëseardhur as nga mbrojtja e familjes Behrami, Naim Rudari.

Edhe një herë brenda disa muajsh, Prokuroria përdori arsyetimin e mungesës së provave lidhur me rastin e vetëvrasjes së Bahtijes. Teksa kishte analizuar lëndën, njëjtë sikurse familja, edhe mbrojtja e tyre po akuzon familjen Berisha se ata i sollën vdekjen Bahtijes.

Sipas tij, janë një mori provash që dëshmojnë një gjë të tillë.

Për KIKS Kosovën, Rudari tha se nuk e pranojnë vendimin e Prokurorisë për mbyllje të rastit dhe se do të vazhdojnë me ankesë më tutje.

Bahtije Behrami dyshohet se i dha fund jetës në luhatësen e fëmijëve të saj, më 17 korrik të vitit 2024, sipas familjes së saj si pasojë nga ish-bashkëshorti, Gëzim Berisha.

KIKS Kosova kishte vërejtur se numri i telefonit të këtij të fundit, kishte ndryshuar nga ai i Kosovës në atë me hyrje të Gjermanisë. Në një situatë të tillë, për 5 fëmijët e tij do të kishte mbetur të kujdeseshin prindërit e tij në Kosovë.

I pyetur për një gjë të tillë, Gëzim Berisha nuk i përgjigjet ekipit të Kiksit. Ai madje në një gjuhë goxha të ashpër, hodhi akuza kundrejt gazetares.

Shpërndaje në

U Kopjua