Live

Ambasada gjermane: Keqinterpretim të thuash se ky ishte “operacioni i parë i FSK-së në veri”

19:15 / 29 Korrik 2025

Nga Kosova Live

Një ekip i specializuar i Kërkimit dhe Shpëtimit nga Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka zbarkuar mëngjesin e sotëm në Liqenin e Ujmanit për të marrë pjesë në një aksion kërkim-shpëtimi për gjetjen e trupit të zhdukur të qytetarit Rrahim Latifi, i cili kërceu nga ura e Ujmanit më 27 korrik.

Për vendosjen e FSK-së në këtë pjesë të vendit pati shumë komente në opinion, ku shumë akterë politikë qeveritarë e quajtën si “operacioni i parë i FSK-së në veri të Kosovës”.

Madje pati edhe akuza për heqjen e automjeteve të KFOR-it nga fotot e shpërndara.

Për këto deklarime ka reaguar Ambasada Gjermane në Prishtinë, duke u shprehur e shqetësuar me politizimin e kësaj çështjeje.

Në reagimin e saj dërguar mediave, siç raporton Klankosova.tv, kjo ambasadë thotë se “humbja tragjike e jetës së një të riu duhet të jetë një moment pikëllimi kolektiv, jo një rast për pikëzim politik”.

“Ambasada Gjermane është thellësisht e shqetësuar nga përpjekjet për të politizuar vendosjen e sotme të një ekipi të specializuar të Kërkimit dhe Shpëtimit nga Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) në Liqenin e Ujmanit – një operacion i lehtësuar nga KFOR-i në përputhje të plotë me mandatin e tij dhe i miratuar nga Komandanti i KFOR-it vetëm për qëllime humanitare”.

“Deklaratat e aktorëve politikë që e paraqesin këtë mision si ‘operacioni i parë i FSK-së në veri të Kosovës’ keqinterpretojnë qëllimin dhe frymën e vendosjes. Po aq shqetësuese janë akuzat për imazhe të manipuluara – konkretisht, heqja e elementëve të dukshëm të shoqërimit të KFOR-it – për të promovuar një narrativë mashtruese”.

“Veprime të tilla rrezikojnë të minojnë besimin e publikut dhe të shkëpusin vëmendjen nga fokusi humanitar i misionit”, u tha mes tjerash në reagimin e Ambasadës Gjermane në Kosovë.

Ambasada Gjermane përsëriti mbështetjen e saj të plotë për KFOR-in dhe mandatin e tij, dhe shprehu mirënjohje të sinqertë për të gjithë personelin e KFOR-it dhe FSK-së të përfshirë në përpjekjet e sotme për gjetjen e trupit të pajetë.

“Profesionalizmi dhe bashkëpunimi i tyre i shërbejnë të mirës publike dhe shërbejnë si një kujtesë për atë që mund të arrihet kur institucionet punojnë së bashku në shërbim të dinjitetit njerëzor”, u tha në reagimin e kësaj ambasade.

Shpërndaje në

U Kopjua