Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar ditë më parë para deputetëve në Kuvendin e Kosovës për Asociacionin.
I pari i vendit i ka nxjerrë 6 pika në Kuvend si kushte për themelimin e Asociacionin.
Pikat e propozuara nga Kurti, sipas njohësve të politikës, nuk do të përmbushën nga BE-ja.
Politologu Fidan Ukaj, tha se Bashkimi Evropian nuk do t’i pranojë të gjitha kushtet e propozuara nga Kurti.
Sipas tij, disa pika mund të pranohen nga BE-ja.
“Ne kemi dëgjuar deklaratën e Peter Stano, i cili tha se i kanë marrë kushtet e propozuara nga Kurti, mirëpo nuk është shprehur që kanë qenë të pranueshme ose i kanë refuzuar, mbetët të shihet. Mund të ketë pika të cilat mund t’i pranojë BE-ja. Kurti ka deklaruar se duhet t’i pranojnë tani parakushtet që të filloj draftimi i Asociacionit, por mendoj që BE-ja nuk do t’i pranojë të gjitha”, tha Ukaj për Front Online.
Mendim të njëjtë ka edhe njohësi tjetër i çështjeve të politikës, Artan Muhaxhiri.
Muhaxhiri tha për Front Online se kërkesa për Asociacionin mund të ketë nga dy palët por nuk do të jenë të pranueshme.
Ai thotë se SHBA-ja dhe BE-ja nuk do të ndryshojnë formatin aktual për Asociacionin.
“Procesi i Asociacionit është jashtëzakonisht kompleks dhe është pak e pabesueshme që do t’i krijohet hapësirë palës kosovare apo serbe që të ndryshoj formatin aktual të kërkuar nga SHBA-BE. Kosova dhe Serbia mund të kenë kërkesa të shumta por ajo që është planifikuar me planin franko-gjerman nuk ka gjasa të ndryshoj. Kosova duhet të arrijë maksimumin brenda kësaj situate por nuk mund të imponoj ndryshime të mëdha jo strategjike”, theksoi Muhaxheri.
Këto janë gjashtë kushte që propozoi Kurti, sipas të cilave, mund të formohet Asociacioni.
1.Asociacioni të bëhet në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.
2.Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë asnjë pushtet publik apo ekzekutiv, duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave, sipas kushtetutës.
3.Të drejtat e pakicave kombëtare duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane.
4.Para vendosjes së asociacionit, strukturat ilegale në veri të shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale.
5.Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke dhe vetëm pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e kartës së OKB-së në raportet e saj ndërshtetërore me Kosovën.
6.Presidenti i Serbisë i tërheq letrat e dërguara në pesë shtetet e BE-se për mospranimin e aplikimit të Kosovës në BE.