Live

Anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor, interes i BE-së – thotë Reuten

18:39 / 23 Gusht 2025

Nga Kosova Live

Dua të shoh rezultate nga shtetet anëtare në raport me anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Kjo është kërkesa e deputetit të Parlamentit Evropian, Thijs Reuten, nga vendet e bllokut.

Në një intervistë për Info Magazine në Klan Kosova, ai thotë se Komisioni Evropian dhe Këshilli i Evropës duhet të funksionojnë si një kur flitet për inkuadrimin e shteteve të rajonit në Union.

“Gjithnjë është mirë kur ministra përgjegjës thonë se duan të jenë motorë të një procesi të mirë të zgjerimit të BE-së, por kam dëgjuar shumë ministra të deklarohen kësisoj më parë dhe dua të shoh rezultate. Dua të shoh një Komision dhe një Këshill të bashkuar përfshirë të gjitha vendet anëtare që punojnë seriozisht në interes të vendeve që duan të anëtarësohen në Bashkimin Evropian por edhe në interes të vetë BE-së, sepse është e rëndësishme që ta ruajmë ose ta rikthejmë kredibilitetin në këtë proces, dhe kjo do të thotë se Bashkimi Evropian duhet të jetë më tërheqës”, shprehet Reuten, raporton Klankosova.tv.

Tutje, ai thotë se ka nevojë për rezultate tani, për veprime kredibile dhe politika kredibile për t’i sjellë vendet e rajonit nën rrethanat e duhura për ta respektuar rendin demokratik dhe sundimin e ligjit.

“Mendoj se shumë vende në rajon e shfrytëzojnë këtë mundësi por duhet ta shfrytëzojmë së bashku mundësinë, vendet anëtare aktuale të BE-së dhe ato kandidate, ky është momenti, dhe jo momenti siç e kam thënë më parë në emisionin tuaj që të mos i japim shpresë atyre që duan ta minojnë Bashkimin Evropian, njerëzit si Putini, autokratë që duan të na shohin teksa dështojmë”.

“Duhet të jemi më të fortë se aq, duhet t’u tregojmë se do ta përfundojmë projektin e unitetit të BE-së, dhe nëse është në dorën time, përfshirë vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor”, deklaroi deputeti i PE-së, Thijs Reuten.

Shpërndaje në

U Kopjua