Live

Arrestohet 46-vjeçari në Durrës, shfrytëzoi për prostitucion një shtetase ruse

12:40 / 27 Korrik 2025

Nga Kosova Live

Një 46-vjeçar është arrestuar në Durrës, nën dyshimin se kishte shfrytëzuar një shtetase ruse për prostitucion.

Sipas policisë, 46-vjeçari fillimisht mashtroi 20-vjeçaren se do ta punësonte si kameriere dhe më pas, nëpërmjet dhunës dhe kërcënimeve, e shfrytëzoi për prostitucion për afro dy vite.

Sipas njoftimit, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një armë gjahu teke e markës “KralArms”, dy palë dylbi dhe tre aparate celularë, transmeton Klankosova.tv.

“Nga veprimet hetimore të kryera u bë i mundur dokumentimi i shfrytëzimit të prostitucionit të 20-vjeçares nga Rusia, pasi rezultoi se 46-vjeçari e ka dhunuar fizikisht dhe e ka shfrytëzuar në fushën e prostitucionit në hotele të ndryshme, me persona të ndryshëm, kundrejt vlerave monetare që varionin nga 250 deri në 300 euro për person. Këto vlera monetare i përfitonte shtetasi K. D. Po nga hetimet rezulton se kjo shtetase është trafikuar nga shtetasi K. D., në tetor 2023, kur është futur ilegalisht në Shqipëri nga Podgorica”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, në kuadër të operacionit u shpall në kërkim E. S., 39 vjeç, banues në Durrës, i dyshuar si i implikuar në këtë rast për prostitucion.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë pranë Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Shpërndaje në

U Kopjua