Live

Arrestohet një zyrtar komunal i Gjakovës për ryshfet

16:45 / 01 Shtator 2025

Nga Kosova Live

Një zyrtar komunal, konkretisht i administratës lokale, është arrestuar në Gjakovë, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”.

Sipas policisë, janë zhvilluar hetime dhe është zbatuar një masë e veçantë e hetimit me urdhër të Gjykatës Themelore. Gjatë realizimit të masës janë siguruar prova materiale që lidhen me veprën penale. Paratë që ishin objekt i simulimit janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, transmeton Klankosova.tv.

Ndryshe, personi i dyshuar është intervistuar në prani të mbrojtësit të tij, ku ka vendosur të ushtrojë të drejtën për të mbetur në heshtje.

“Të gjitha veprimet janë ndërmarrë në koordinim të plotë me prokurorin kompetent. Pas intervistimit, prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim për ndalim prej 48 orësh ndaj të dyshuarit”.

“Hetimet janë në fazë fillestare dhe do të vazhdojnë në drejtim të ndriçimit të plotë të rastit. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftimin e korrupsionit dhe veprimeve të paligjshme që cenojnë integritetin institucional”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Shpërndaje në

U Kopjua