Live

Bajrami: BE e ka izoluar Kurtin, ai po e çon shtetin drejt kolapsit

19:53 / 28 Gusht 2025

Nga Kosova Live

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas raportimit të Klan Kosovës se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është qortuar nga shefat e Misioneve të BE-së për mosrespektimin e aktgjykimit të Gjykatës Supreme të 25 qershorit, si dhe se ndaj tij ka pasur pakënaqësi të theksuara.

Në reagimin e saj në Facebook, Bajrami tha se ky zhvillim e tregon qartë se kryeministri në detyrë dhe deputetët e Vetëvendosjes po mbajnë kundërligjshëm pozitat qeveritare.

“Albin Kurti me shpejtësi po e çon drejt kolapsit Shtetin e Kosovës. Sot u publikua edhe letra e nënshkruar nga ambasadori i BE-së në Kosovë që izolon deputetin Albin Kurtin dhe gjithë shkelësit e tjerë të ligjit e Kushtetutës që po mbajnë kundërligjshëm pozitat qeveritare”, ka deklaruar ajo.

Deputetja e LDK-së theksoi se partia e saj tashmë ka dorëzuar në Prokurorinë Speciale 17 kallëzime penale ndaj deputetëve që ushtrojnë edhe pozitë ministri dhe pret reagim nga organet e drejtësisë, raporton Klankosova.tv.

Sipas saj, dështimet e Kurtit për të formuar qeverinë dhe për të siguruar marrëveshje politike e kanë bllokuar vendin dhe e kanë futur në krizë institucionale.

“Dështimet e Albin Kurtit për të imponuar kandidatin për kryeparlamentar, dështimi i Albin Kurtit për të formuar Qeverinë janë bërë barrë për shtetin dhe gjithë qytetarët”.

“Bllokuesi, dështuesi dhe fajtori për gjithë këtë situatë është Albin Kurti dhe Vetëvendosja”, ka shkruar Bajrami.

Shpërndaje në

U Kopjua