Live

Bajrami: Është ditur që Haxhiu e Gërvalla s’i kanë votat – LVV s’ka interesim për konstituim të Kuvendit

12:39 / 20 Gusht 2025

Nga Kosova Live

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, tha se LVV-ja nuk ka as interesim e as interes për të konstituuar Kuvendin.

Në ndalesën e saj me gazetarë pas përfundimit të seancës së sotme, ajo tha se janë bërë 192 ditë prej kur janë mbajtur zgjedhjet, dhe ne ende s’kemi institucione.

“Sot propozuan dy kandidate që është ditur paraprakisht që s’i kanë votat”, u shpreh Bajrami.

Ndër të tjera, deputetja e LDK-së tha se zyrat e qeverisë janë të uzurpuara nga njerëz pa legjitimitet dhe se vendimet që po merren aty janë joligjore.

Ajo i bëri thirrje sërish Prokurorisë Speciale “që të merret seriozisht me 17 kallëzimet penale që LDK i ka dorëzuar, sepse mendojmë që LVV do të reflektojë dhe do të konstituojë Kuvendin vetëm pasi ata të largohen nga zyrat që janë duke i mbajtur të uzurpuara”.

Bajrami tha se LDK-ja e ka bërë të qartë që nga dita e parë, “që, nëse nuk jemi pjesë e një marrëveshjeje politike, gjë që është e qartë që nuk jemi, ne nuk votojmë”.

“Megjithatë, ka parti politike parlamentare që kanë dhënë alternativa dhe janë më shumë se 30 deputetë që do t’i merrnin votat e partive tjera. Nuk janë 2-3 vota, por çështja është se partia e parë s’ka vullnet për konstituim të kuvendit”, deklaroi nënkryetarja e LDK-së. 

Shpërndaje në

U Kopjua