Live

Barcelona ia beson fanellën legjendare me numrin 10 Lamine Yamalit

08:42 / 17 Korrik 2025

Nga Kosova Live

Barcelona ka marrë një vendim historik për të ardhmen e klubit – numrin legjendar 10, që dikur e mbante Lionel Messi, tashmë do ta mbajë talenti i ri Lamine Yamal.

Tetëmbëdhjetëvjeçari, i cili është formuar në akademinë prestigjioze të klubit “La Masia”, e prezantoi fanellën me numrin e ri në stadiumin “Spotify Camp Nou”, në prani të gazetarëve dhe tifozëve.

“Messi ka bërë rrugën e tij, unë do ta bëj timen”, deklaroi Yamal para mediave. “Do të punoj shumë, do të jap gjithçka për të kënaqur tifozët tanë”.

Në sezonin e kaluar, Yamal ishte një nga kontribuuesit kryesorë në suksesin e Barcelonës, duke ndihmuar skuadrën të fitojë tre trofe vendorë. Ai tashmë ka një kontratë afatgjatë me klubin, e vlefshme deri në vitin 2031, dhe është renditur ndër lojtarët më të paguar të skuadrës.

“Ëndrra ime është ta fitoj Champions League me Barcelonën dhe Kupën e Botës me Spanjën”, u shpreh ai, duke treguar ambiciet për të ardhmen.

Yamal debutoi me ekipin e parë në vitin 2023, në moshën vetëm 15-vjeçare. Që nga ajo kohë, ai ka zhvilluar mbi 100 paraqitje dhe ka shënuar 25 gola. “Barça është jeta ime. Kam ardhur këtu kur isha shtatë vjeç dhe gjithmonë kam ëndërruar të luaj në ekipin e parë”, tha ai me emocion.

Fanella me numrin 10 ka një peshë të madhe historike në Barcelonë. Pas largimit të Messit, ajo iu besua Ansu Fati, i cili megjithatë nuk arriti të përmbushë pritshmëritë për shkak të lëndimeve të shpeshta. Aktualisht, Fati është i huazuar te Monaco.

Përgjatë historisë së klubit, këtë fanellë e kanë veshur edhe emra të mëdhenj të futbollit botëror si Diego Maradona, Ronaldinho dhe Rivaldo. “Ata janë legjenda. Shpresoj të vazhdoj trashëgiminë e tyre”, tha Yamal.

Shpërndaje në

U Kopjua