Barcelona u kualifikua me lehtësi në gjysmëfinalet e Copa del Rey (CdR) pas një fitoreje të thellë 5-0 ndaj Valencias, duke e çuar në 10 ndeshje serinë e tyre pa humbje në të gjitha kompeticionet (8 fitore, 2 barazime).
Katalanasit nuk humbën kohë për të marrë avantazhin dhe e gjetën rrjetën pas vetëm 3 minutash, kur Ferran Torres finalizoi në mënyrë perfekte një asistim nga Alejandro Balde, duke mposhtur Stole Dimitrievski.
Ish-sulmuesi i Manchester City-t e dyfishoi avantazhin pas 15 minutash, duke shfrytëzuar një top të kthyer nga shtylla pas një goditjeje të Lamine Yamal. Fillimisht goli u anulua për pozicion jashtë loje, por pas rishikimit në VAR u konfirmua i rregullt.
Situata për Valencian u përkeqësua akoma më shumë kur Fermín López shënoi të tretin, duke marrë një pasim perfekt nga Pedri dhe duke e dërguar topin në rrjetë.
Torres kompletoi het-trikun e tij brenda 30 minutave, duke shënuar me një goditje të saktë pas një asisti të bukur nga Raphinha. Ky ishte het-triku më i shpejtë i Barcelonës në çdo kompeticion që nga viti 2008, kur Samuel Eto’o realizoi tre gola ndaj Almerías në 28 minuta.
Valencia mendoi se gjeti golin e nderit me Umar Sadiq, por goli i tij u anulua për pozicion jashtë loje. Në anën tjetër, Lamine Yamal gjuajti në shtyllë, por adoleshenti arriti të gjente rrjetën pak minuta më vonë, duke vulosur një fitore spektakolare me asistin e dytë të Raphinhas.
Kjo fitore e fuqishme konfirmon formën e shkëlqyer të skuadrës së Hansi Flick, e cila ka shënuar në 19 nga 20 ndeshjet e saj si mysafire këtë sezon, duke realizuar më shumë se katër gola në nëntë prej tyre.
Ndërkohë, Valencia e Carlos Corberán do të kërkojë të lërë pas këtë disfatë të rëndë dhe të fokusohet në mbijetesën në La Liga.
SONDAZH
![Loading ... Loading ...](https://kosovalive.net/wp-content/plugins/wp-polls/images/loading.gif)