Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë arritur një kuadër marrëveshjeje tregtare, duke i dhënë fund një ngërçi disamujor midis dy prej partnerëve më të mëdhenj ekonomikë në botë.
Pas negociatave vendimtare midis presidentit Donald Trump dhe presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në Skoci, palët ranë dakord për një tarifë amerikane mbi të gjitha mallrat e BE-së prej 15%, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.
Kjo është gjysma e normës së taksës së importit prej 30% që Trump kishte kërcënuar të zbatonte duke filluar nga e premtja. Ai tha se blloku 27-anëtarësh do të hapte tregjet e tij për eksportuesit amerikanë me tarifa zero për qind për produkte të caktuara.
Von der Leyen gjithashtu përshëndeti marrëveshjen, duke thënë se ajo do të sillte stabilitet për të dy aleatët, të cilët së bashku përbëjnë pothuajse një të tretën e tregtisë globale.