Më 1 janar të këtij viti, zona Schengen u plotësua me dy anëtarë të rinj – Rumaninë dhe Bullgarinë.
Për t’iu uruar mirëseardhje, shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen publikoi një video në rrjetin social X (ish-Twitter) ku tregonte me ngjyrë të kaltër vendet anëtare të zonës Schengen.
Pos tyre, në hartë shiheshin edhe vendet jo-anëtare të Schengenit, që janë gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Këto shtete ishin lënë me ngjyrë të bardhë, për të bërë dallimin.
Por, ajo që ra në sy ishte mungesa e vijës kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, duke e bërë vendin tonë pjesë të fqinjit verior.
Kjo u spikat nga përdoruesit e këtij rrjeti, në mesin e të cilëve ishte edhe politikania gjermane, Doris Pack, e cila e pyeti bashkëkombësen e saj: “Ku është shteti i Kosovës?”.
Veç saj, reaguan edhe figura të ndryshme vendore e ndërkombëtare për këtë huqje.
E me të parë reagimin publik, kjo video u zhduk nga rrjetet sociale.
Jozyrtarisht, një zëdhënës i BE-së tha se videoja është hequr posa “çështja u soll në vëmendjen tonë”.
“Pamjet vizuele në llogaritë e mediave sociale të Komisionit Evropian, të cilat u publikuan për të mirëpritur Rumaninë dhe Bullgarinë si anëtarë të plotë të zonës Schengen, u hoqën nga të gjitha platformat sapo çështja u soll në vëmendjen tonë”, tha ky zëdhënës i BE-së për Klanin.
Të pyetur nëse qëndrimi i KE-së është se Kosova nuk është shtet i pavarur, përgjigje konkrete nuk morëm, por na thanë: “Fakti që pamjet u hoqën është mjaft vetë-shpjeguese”.
Ursula von der Leyen qëndroi në Kosovë në tetor të vitit të kaluar. Ajo pati takime me krerët e shtetit.