Live

BE-ja mirëpret heqjen e kufizimeve për mallrat nga Serbia

15:05 / 08 Tetor 2024

Nga Kosova Live

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë mirëpret heqjen e kufizimeve për hyrjen e produkteve serbe në Kosovë përmes Merdares.

Kështu thuhet në një deklaratë të postuar në platformën X nga kjo zyrë, duke shtuar se tregtia e lirë e mallrave në të gjithë Ballkanin Perëndimor, në përputhje me rregullat e CEFTA-s, është çelësi për funksionimin e Tregut të Përbashkët Rajonal, i cili është pjesë integrale e Planit të Rritjes.

“Njerëzit dhe bizneset përfitojnë!”, përfundon kumtesa.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka konfirmuar dje heqjen e ndalesës për importin e mallrave serbe, por vetëm kur bëhet fjalë për vendkalimin në Merdare.

Në një konferencë për media, Kurti të hënën tha se masa është ndërruar nga kufizimi në kontroll të shtuar, derisa të vijnë skanerët të cilët do të vendosen në të gjitha pikat kufitare.

Ai përmendi “dy zhvillime shumë të rëndësishme”- mbledhjen e CEFTA-s të mërkurën dhe samitin e Procesit të Berlinit më 14 tetor.

“Në shtatë ditët në vijim i kemi dy zhvillime shumë të rëndësishme, pasnesër është mbledhja e CEFTA’së ndërkaq sot një javë është samiti i Procesit të Berlinit me rastin e 10 vjetorit ku edhe presim që të kalohet nga CEFTA në CRM apo në Tregun e Përbashkët Rajonal”, tha Kurti.

Ky vendim i Qeverisë vjen pas presionit të madh nga Gjermania, të cilët përmes të të Dërguarit të Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, paraqitën kërkesën për heqjen e ndalesës së importit të mallrave nga Serbia në Kosovë.

Sarrazin tha se kjo ndalesë bllokon punën e CEFTA-s, apo Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore.

Sipas tij, për shkak të kësaj ndalese, Kosova mund ta rrezikonte pjesëmarrjen në Procesin e Berlinit – një nismë që synon ta ndihmojë zhvillimin ekonomik të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe afrimin e tyre me Bashkimin Evropian.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, reagoi duke thënë se mirëpret vendimin e Qeverisë së Kosovës për të hequr kufizimin ndaj mallrave të Serbisë, në pikën kufitare në Merdare.

“Ky është një hap i rëndësishëm drejt zhbllokimit të CEFTA-s. Ne do ta mbështesim Qeverinë e Kosovës, për të garantuar që plotësohen kërkesat e saj të sigurisë, dhe do të monitorojmë proceset në pikën kufitare”, ka thënë ai përmes një postimi në X – platformë e njohur më parë si Twitter.

Bllokadën Qeveria e Kosovës e kishte vendosur për mallrat serbe pas rrëmbimit të tre policëve nga Serbia në qershor të vitit të kaluar, ku po atë ditë Dogana e Kosovës ishte urdhëruar që ta ndalojë hyrjen e të gjitha mallrave serbe në Kosovë.

Një javë më pas, vendimi u ndryshua, duke lejuar hyrjen e kamionëve me targa serbe, por me kusht që mallrat e tyre të mos kenë origjinë nga Serbia.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...