Live

Beteja me Prokurorinë, Kurti insiston se ka një “plan” prapa thirrjes së tij për intervistim

10:46 / 31 Dhjetor 2024

Nga Kosova Live

Gjatë natës së mbrëmshme kryeministri i vendit, Albin Kurti e ka bërë të qartë se nuk e ka ndërmend të paraqitet në Prokurorinë Speciale, ku u ftua në fillim të këtij muaji për të dëshmuar në një rast korrupsioni, saktësisht për rastin e keqpërdorimit të rezervave shtetërore.

Kurti ka insistuar që prokurorët të shkojnë tek ai. Ai ka thënë se kjo ka ndodhur edhe më parë me zyrtarë të tjerë të shtetit, shkruan gazeta online Reporteri.net.

“Unë nuk jam aktor, por nuk do të pranojë ata të jenë regjisor”, tha Kurti teksa pretendoi se prokurorët duan të krijojnë një situatë se si, siç u shpreh ai “kryeministri më i pakorruptuar në Ballkan duke hyrë në ndërtesën e Prokurorisë Speciale për një rast korrupsioni”.

“Unë jam edhe i gatshëm, edhe i interesuar të dëshmoj, por kam kërkuar prej tyre, ashtu siç kamë bërë në të kaluarën të vijnë në kryeministri. Edhe më herët kanë ardhur. Kanë ardhur për raste të tjera kur kanë qenë shumë më të rënda si dëshmitar ndoshta jo. Gjatë mandatit të qeverive të tjera jo mua. Por nuk dihen ato. Ata i dinë se të njëjtit janë. Këtu ka ndërruar kryeministri, por atje nuk ka ndërruar gjë. Ky është dallimi.

Unë nuk po dëshiroj që ata të vijnë, unë po ju tregoj që nuk shkoj. Nuk shkoj sepse e kam shumë të qartë planin e tyre. Ata po dëshirojnë që ta prodhojnë një xhirim të shkurtër, ose një fotografi , që .kryeministri më i pa korruptuar në Ballkan duke hyrë në ndërtesën e Prokurorisë Speciale për një rast korrupsioni. Kush nuk merret a je dëshmitar a i pandehur. Edhe mua tash po më trajtojnë si i pandehur. Nuk e di a e ke vërejtur. Edhe me disa portale të tyre se rrotull prokurorisë janë do kafe ku rrinë këta me gazetarë të këtyre portaleve që i nxjerrin edhe titujt për ministrat e mi. Të njëjtit janë. Pra, prokurorët pinë gjithë ditën kafe me disa gazetarë të caktuar të portaleve të oligarkëve që krijojnë tituj për ministrat e qeverisë Kurti dhe ata po dëshirojnë ta prodhojnë një fotografi të tillë për mediet ndërkombëtarë”, tha Kurti në një intervistë për RTK-në mbrëmë.

Përpos kësaj, kryeministri Kurti në një intervistë së dielës, ka sulmuar Prokurorinë, duke i quajtur prokurorët e Kosovës “lepuj” dhe “kërmij”. 

Këtu Kurti përmendin kryeprokurorin, Blerim Isufaj. Për Kurtin, Isufaj është “regjisor i pamjes kur Kurti hynë në Prokurori dhe bëhet lajm ndërkombëtar për korrupsion”.

Për këto deklarata të tij, reagoi edhe vetë Kryeprokurori i Shtetit, Blerim Isufaj duke thënë se janë fyese dhe denigruese. Isufaj shtoi se këto deklarata jo vetëm minojnë integritetin e sistemit të drejtësisë, por edhe cënojnë besimin e publikut në sundimin e ligjit.

“Deklaratat denigruese dhe fyerjet publike ndaj prokurorëve dhe institucioneve të prokurorisë jo vetëm që minojnë integritetin e sistemit të drejtësisë, por e cenojnë edhe besimin e publikut në sundimin e ligjit”, tha Isufaj në konferencë për media.

Ai tha se mënyra se si funksionon kjo qeveri dëshmohet lehtë, se “kemi ngritur aktakuza për pesë ish ministra të qeverive të kaluara, dhe asnjë s’është ngritur për ndonjë aktual”.

“Më lejoni t’ju jap vetëm një fakt: aktualisht kemi të ngritura aktakuza për pesë ish ministra, të kabineteve tjera qeveritare e kam fjalën; nuk e kemi të ngritur asnjë aktakuzë për asnjë ministër aktual. Kemi të hudhura 17 kallëzime penale për ministrat aktualë në detyrë. Unë nuk di cili është argumenti më i madh që tregon se ne nuk punojmë në mënyrë selektive, se fare s’na intereson ajo punë. Ne punojmë vetëm në bazë të provave, në bazë të ligjit dhe në bazë të Kushtetutës. Kjo nuk do të thotë fare se në të ardhmën nuk do të ketë aktakuza edhe për ministrat aktualë, por po them, derisa po flasim, nuk e kemi asnjë aktakuzë për ministrat në detyrë, i kemi të gjitha për ish ministrat e kabineteve të tjera”, tha tutje Isufaj.

Shumë zyrtarë qeveritarë dhe eksponentë të Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet e kanë cilësuar të motivuar politikisht ftesën që prokuroria ia ka adresuar kryeministrit të Kosovës, meqë ajo është bërë në prag të fushatës për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.

Është vetë Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu  ajo e cila i ka dalë në mbrojtje shefit të saj, kryeministrit Albin Kurti.

“Siç po duket kryeprokurori Isufaj më shumë shërben aty për të luftuar qeverisjen e LVV-së, rrjedhimisht reformën në Drejtësi, se sa për t’u kujdesur për drejtësinë në vend.”, tha ndër të tjerash Haxhiu në një konferencë për media dje.

E pyetur rreth thirrjes së Prokurorisë për Kryeministrin, Haxhiu tha se kryeministri Kurti nuk ka refuzuar të japë dëshminë e tij, por ka caktuar orë e data për intervistë.

Njëjtë ka thënë Haxhiu, sikurse ka pasur raste edhe herëve të tjera kur janë intervistuar në zyrë.“Qëllimet dihen, e ka thënë mbrëmë edhe kryeministri Kurti, e ka paraqitur Blerim Isufajn si një regjisor që dëshiron që të shihet Kryeministri të hyjë në ndërtesën e Prokurorisë Speciale dhe të thuhet në media vendore e ndërkombëtare që Kryeministri paska qenë për një aferë korruptive”,  tha ajo.

Gjuha e pushtetit ndaj Prokurorisë, nxiti shumë reagime.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka kritikuar ashpër veprimet e kryeministrit Albin Kurti, i cili refuzoi të paraqitet para Prokurorisë Speciale pas ftesës për të dëshmuar, duke i ftuar ata në zyrën e tij.

Hasani ka theksuar se një veprim i tillë është i papranueshëm dhe i dëmton rëndë institucionet.

“Je zyrtar i atij shteti, ke dhënë betimin me zbatu kushtetutën dhe ligjin e këtij shteti është e papranueshme mos me shku qoftë si dëshmitar qoftë si i pandehur. Ajo çfarë po bën është hajgare, është poshtërim i institucionit, [prokurorisë], ajo mënyrë çfarë po bën është me i shit kapadallëk institucionit”, ka deklaruar ai për RTV Dukagjini.

Hasani ka theksuar gjithashtu se përveç presidentit, të gjithë funksionarët publikë mund të dërgohen me forcë në prokurori dhe të ndjeken penalisht.

“Shteti të vret e të pret, por nuk të korit kurrë. Ti e bën sot këtë, por një ditë do të ketë çmim kjo”, ka shtuar ai, duke paralajmëruar për pasojat e këtij veprimi.

Edhe ish-kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, ka theksuar se kryeministri ka përdorur një gjuhë të papërshtatshme dhe denigruese ndaj sistemit të drejtësisë, një veprim që është i papranueshëm dhe i dëmshëm.

“Ai e ka për detyrë dhe obligim me mbrojt Kushtetutën dhe ligjin. Kryeministri e ka pas një gjuhë të papërshtatshme dhe denigruese ndaj sistemit të drejtësisë. Këtë e kemi thënë edhe disa herë se kryeministri e shumë deputetë e ministra e përdorin një gjuhë denigruese ndaj sistemit të drejtësisë që është shumë e papranueshme”, ka thënë ai.

“Përpara dilke në Parlament e mbrojke Nagip Krasniqin, tash ngritët aktakuza e dytë ndaj tij edhe për 37 milion euro, d.m.th. nuk është diçka a aty bash bash e kjartë, se kryeministri po i mbron këta”, ka thënë Shala në RTVD.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...