Live

Buzhala: Liburni, pesha e fundit e rëndë në VV – ishte ora e Albinit në parti

21:43 / 27 Gusht 2025

Nga Kosova Live

Gazetari Berat Buzhala, ka folur për dorëheqjen e ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliut, nga kjo pozitë të cilën e mbajti për më shumë se katër vjet, me arsyetimin e zgjedhjes së Dimal Bashës si kryetar kuvendi.

Buzhala tha se për nga lartësia e pozitës, ajo e kryetarit të kuvendit është më e larta dhe sipas tij, personi që e udhëheq tash këtë pozitë, Dimal Basha, është më jokompetenti, teksa tha se këtu ia pranon Aliut faktin që ka reaguar për Bashën.

“Ajo që nuk ia pranoj është ndër vite, ku ishte Liburni kur ishte Martin Berishaj, ku ishte Liburni kur kanë ndodhur plot emërime dhe plot skandale të mëdha gjatë kësaj kohe”.

“E kemi ditur se ekziston një ftohje e raporteve mes Liburnit dhe Albinit, bile ndoshta e para ka qenë kur Albini ka filluar të përzihej në zgjedhjet në Luginë të Preshevës dhe doli Liburni ku tha se nuk është mirë të përzihemi kurrkund në zgjedhje”.

“Liburni është pesha e fundit e rëndë në Vetëvendosje. Është edhe Glauku, i cili me gjasë e ka zgjedhur një rrugë pak më të butë. Secila pozitë, pas kryetarit të kuvendit, që do të kishte sens për Glaukun është pozita e presidentit”, tha Buzhala në Rubikon në Klan Kosova.

Tutje, Buzhala tha se zanafilla e parë e prishjes së raporteve mes Kurtit e Aliut janë paratë, teksa u thirr në burime tha se kur i ka ndarë tenderët, Aliu nuk është “konsultuar aq sa duhet” me Kurtin.

“Nëse dy njerëz e kanë shpëtuar VV-në dhe Albin Kurtin për t’u bërë ky që është, janë Rexhep Selimi dhe Liburn Aliu sepse e kanë mbrojtur edhe fizikisht. Kur dilte Rexha në protesta, policia nëse kishin urdhër që ta arrestonin Albin Kurtin, u zbythshin. Njëjtë e ka pasur edhe me Liburn Aliun. Liburni ka qenë ora e Albinit”, tha ai.

Shpërndaje në

U Kopjua