Live

Çitaku: Ne besojmë që çlirimtarët do të kthehen në pranverë të vitit tjetër

18:02 / 02 Shtator 2025

Nga Kosova Live

Sot gjatë ditës u raportua se procesi gjyqësor ndaj krerëve të UÇK-së në Hagë, që nisi në prillin e vitit 2023, pritet që përfundimin ta ketë më së largu më 22 dhjetor.

Lidhur me këtë për Periskopin ka folur deputetja dhe Sekretarja e Përgjithshme e PDK’së, Vlora Çitaku.

Çitaku i ka thënë Periskopit se presin që krerët e UÇK’së të kthehen të pafajshëm në pranverën e vitit tjetër.

“Ne besojmë që çlirimtarët do të kthehen të pafajshëm dhe faqebardhë në pranverë të vitit tjetër.”, tha ajo për Periskopin.

Mesi i nëntorit është caktuar si afat për avokatët e Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit, për ta përfunduar rastin e tyre.

“Pasi ka shqyrtuar parashtrimet e Palëve dhe pjesëmarrësve, listat e dëshmitarëve të Mbrojtjes Thaҫi dhe Mbrojtjes Krasniqi 28 dhe vlerësimet e pyetjeve të kryqëzuara të Palëve dhe pjesëmarrësve të mbetur,29 Paneli përcakton datën e synuar për mbylljen e çështjes së Mbrojtjes si për Mbrojtjen Thaҫi ashtu edhe për Mbrojtjen Krasniqi si të premten, 14 nëntor 2025 ose një javë pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit të fundit të Mbrojtjes, cilado qoftë më e hershme. Paneli thekson se kjo datë është thjesht një tregues i vlerësimit të Panelit për kohëzgjatjen e çështjes së Mbrojtjes dhe mund të përshpejtohet ose zgjatet sipas nevojës”, thuhet në vendim.

“CAKTON datën e synuar për mbylljen e çështjes së Mbrojtjes për të dyja palët, Mbrojtjen e Thaçit dhe Mbrojtjen e Krasniqit, të premten, 14 nëntor 2025, ose një javë pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit të fundit të Mbrojtjes, cilado qoftë më e hershme”, thuhet në vendim.

E fundi përfundimisht i këtij shqyrtimi, pritet në fund të këtij viti. Vendimi, në fillimin e vitit të ardhshëm.

“Paneli vëren se ZPS-ja mund të kërkojë leje për të paraqitur prova në kundërshtim, dhe Mbrojtja mund të kërkojë leje për të paraqitur prova në kundërpërgjigje, në përputhje me Rregullën 127(2). Pa paragjykuar mundësinë e kërkesave të tilla dhe vendimin e Panelit në lidhje me to, Paneli informon Palët dhe pjesëmarrësit se ata duhet të jenë të përgatitur të paraqesin shkresat përfundimtare të gjyqit dhe deklaratën mbi ndikimin e krimeve të supozuara mbi viktimat që marrin pjesë në procedura, para fillimit të pushimit gjyqësor të hënën, më 22 dhjetor 2025. Paneli do të caktojë një datë të saktë në lidhje me këtë çështje pasi çështja e Mbrojtjes të jetë më e avancuar dhe pasi Paneli të ketë dëgjuar Palët dhe pjesëmarrësit në lidhje me këtë dhe çdo kërkesë në përputhje me Rregullën 127(2)”, thuhet më tutje.

“INFORMON Palët dhe pjesëmarrësit se ata duhet të jenë të përgatitur të paraqesin dosjet përfundimtare të gjyqit dhe deklaratën mbi ndikimin e krimeve të supozuara mbi viktimat që marrin pjesë në procedura, para fillimit të pushimit gjyqësor të hënën, 22 dhjetor 2025”, thuhet më tutje në vendim.

Ndryshe nga 15 shtatori do të fillojë dëshmia e dëshmitarëve të Hashim Thaçit, e më pas e Jakup Krasniqit.

Kujtojmë se aktakuza ndaj Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit u konfirmua më 4 nëntor të vitit 2020, ndërsa një ditë pas aktakuza u konfirmuar edhe për ish-krerët e UÇK-së, Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi, i cili po në atë ditë dha dorëheqje nga posti i presidentit.

Shpërndaje në

U Kopjua