Live

Çitaku rikthen letrën prekëse për Bajram Rexhepin në 8-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta

15:40 / 21 Gusht 2025

Nga Kosova Live

Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka kujtuar ish-kryeministrin Bajram Rexhepi në 8-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta.

Përmes një shkrimi të bërë më 21 gusht 2017,  Çitaku ka ndarë sot  kujtime personale me të, duke e përshkruar si mik, bashkëpunëtor dhe njeri të jashtëzakonshëm.

Ajo ka treguar momente të përbashkëta me Rexhepin, nga debatet e tyre për futbollin, tek diskutimet për politikën dhe jetën e përditshme, njofton Klankosova.tv.

Në rrëfimin e saj, Çitaku ka kujtuar edhe momentin kur Rexhepi e kishte inkurajuar që të pranonte udhërrëfyesin për vizat në Bruksel, duke e vendosur atë në ballë të delegacionit kosovar.

“Bajrami ka qenë mbi të gjitha njeri. Njerëzor me të gjithë. Ai përbuzte hierarkinë dhe formalitetin. Sot do të doja të isha në Prishtinë. Ia kemi një kafe borxh njëri-tjetrit”, ka shkruar Çitaku.

Postimi i plotë:

“Në kujtim të mikut tim, Kryeministrit Bajram Rexhepi, shkruar me 21 Gusht 2017.

Shumë do të doja të isha sot në Prishtinë. Për t’u përshëndetur edhe një herë me Doktorin. Për mua ka qenë më shumë se koleg, ka qenë mik i vërtetë. Ne kemi qenë ekip.

Jo në futboll, aty kemi qenë kundërshtarë të përbetuar: ai me Realin, unë me Barcelonën. Mos pyet. Nuk ka pasur ndeshje mes dy ekipeve tona që të mos shndërrohej në betejë edhe mes nesh. Çdo gol i Ronaldos shoqërohej me një SMS ngacmues nga Bajrami: “Qysh je Vlorë?”. E në rast humbjeje të Barçës, vinin SMS-të e tij tipike: “Ani de… bile ju e patët posedimin e topit 60-40”.

Kujtoj kur organizova pritjen si Ministre e Integrimeve Evropiane për Ditën e Evropës, më 9 maj 2011. Bajrami nuk erdhi. U preka. E thirra: “Dok, pse nuk erdhe?” – i thashë.

“Pasha Zotin Vlorë, a hajgare po ban me neve? Ti na e lodhe krytë gjithë kohës që Dita e Evropës s’duhet të jetë festë pushimi, e tash po bën party?”, më tha.

Kur ngulmoja për ligjin për ndalimin e duhanit në hapësira publike… luftë e kemi pasur. Ani kur unë pas disa vitesh ia nisa me pi prapë, nuk la fjalë pa më thënë.

Por, ishte pikërisht ky Bajram, që kur u ftua delegacioni i Kosovës në Bruksel për të marrë udhërrëfyesin për vizat, më tha:

“Vlorë, udhërrëfyesin do ta pranosh ti. Ti je e re. Unë jam në perëndim të karrierës. Mua më ke krah, më ke ushtar, por në ballë do të jesh ti.”

Dhe kështu ndodhi. Në çdo vizitë e takim, brenda apo jashtë vendit, Bajrami më ka vendosur gjithmonë në ballë.

Sepse Bajrami ka qenë mbi të gjitha njeri. Njerëzor me të gjithë. Ai përbuzte hierarkinë dhe formalitetin.

Sot do të doja të isha në Prishtinë. Ia kemi një kafe borxh njëri-tjetrit.

Kur isha në Kosovë në prill, e thirra në telefon. Qëlloi në spital, duke bërë punën që e deshi më së shumti. Ishte e premte. Më tha që gjatë fundjavës do të vinte në Prishtinë dhe do të shiheshim për kafe.

Atë kafe nuk e pimë kurrë. Bajrami pësoi sulm në tru. Shkova e pashë në spital, pa ndjenja. Nuk u përshëndetëm. Shumë besova që do ta shihja përsëri.

Dok, në lojën e fundit Reali na sakatoi. Kisha pasë qejf me ta dhanë këtë lajm… edhe shumë të tjera.

“Kush nga ju është pa mëkat, le ta hedhë gurin i pari…” është krejt çka kam për të thënë për secilin që gjykon sot.

Unë do të të kujtoj përjetë”.

Shpërndaje në

U Kopjua